Berisha: Objektet Që Po Ndërtojmë U Përkasin Gjithë Shqiptarëve, Pavarësisht Bindjeve Politike
- Kryeministri Berisha përuron shkollën e re 9 vjeçare "Gjok Elezi", në lagjen Sanxhak, të qytetit të Laçit -
TIRANË, 10 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha ftoi sot nga Laçi, deputetët e opozitës që të marrin pjesë në përurimet e objekteve të reja që realizon qeveria, pasi ato i përkasin të gjithë qytetarëve pavarësisht nga bindjet partiake.
Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kryeministri Berisha përuroi sot shkollën e re 9 vjeçare "Gjok Elezi", në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit, ku ftoi deputetët socialistë që "të mos e shikojnë realitetin me gjyslyket e kryetarit".
"Çdo ditë përurojmë rrugë, shkolla, ujësjellës e kanalizime të reja e megjithatë në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, bazuar në nihilizmin, krerët e opozitës mohojë çdo gjë. Dalin para mediave të vrerosur gjoja, për atë që krijojnë vetë në mendjen e tyre. Flasin për krizë, sepse krizë kanë në kokën e tyre", tha Kryeministri Berisha në takimin me banorët e Laçit.
Kryeministri Berisha ftoi deputetët e Partisë Socialiste, që të marrin pjesë në çdo përurim, sepse "këto vepra jo vetëm që ndërtohen për të gjithë qytetarët, por kanë edhe mundin e djersën e taksapaguesit socialist".
"Duhet të vini në këto përurime dhe si vlerësim e respekt të madh ndaj atyre që ju kanë votuar dhe pastaj jam i bindur se do të ndihmoni dhe kryetarin tuaj, duke i thënë se janë gjyslyket ato që ta nxijnë Shqipërinë, sepse Shqipëria po zbardhet çdo ditë e më shumë", tha Kryeministri Berisha.
Ai garantoi pushtetarët vendorë se do të financojë çdo projekt të tyre. "Në këtë vend nevojat janë të shumta, por në 4 vitet e fundit, do të gjejmë ndryshime historike, me ndikim në jetën e gjithsecilit", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë siguroi gjithashtu se ritmi i ndryshimit të Shqipërisë do të vazhdojë dhe asgjë nuk do të pengojë rrugën tonë drejt integrimit në BE.
Kurbini dhe në tërësi qarku i Lezhës, sipas Kryeministrit Berisha, ka njohur gjatë këtyre viteve investime shumë të mëdha. "Në tërësi rrugët e komunave po shkojnë drejt asfaltimit të plotë nga skaji në skaj. Rrugë që çojnë drejt bregdetit në këtë qark janë asfaltuar të gjitha. Investime të mëdha janë bërë në ngritjen e një numri të madh shkollash të reja dhe rindërtimi shkollash të vjetra. Investime të tjera të mëdha janë bërë dhe bëhen në akset kombëtare që rrethojnë qarkun e Lezhës", tha Kryeministri.
Shkolla "Gjok Elezi" e përuruar sot nga Kryeministri, ka një vlerë investimi prej 64 milionë lekë dhe në të mësojnë 744 nxënës. Ajo është ndërtuar sipas parametrave më bashkëkohore ka 34 klasa të reja, 3 grupe parashkollorsh, si dhe 1 laborator modern informatike.
Kryeministri Berisha siguroi se "në këtë 4 vjeçar përparësi madhore e qeverisë është shtrirja arsimit parashkollor, në mbarë vendin dhe në çdo shkollë, si domosdoshmëri për të përshpejtuar procesin e dijes për fëmijët".
Ndërtimi kësaj shkolle i bashkohet investimeve të rëndësishme që janë realizuar vitet e fundit në rrethin e Kurbinit që së bashku me investimet në rrethin e Lezhës dhe të Mirditës shënojnë 53 milion euro ose 45 herë më shumë se sa investimet e realizuara nga qeveritë socialiste.
Përsa i përket investimeve infrastrukturore, në rrugët nacionale dhe rurale janë investuar 50 milion euro. Ndërsa vetëm këtë vit përurohen 608 milion lekë në rrugë rurale, ujësjellës, arsim e tregje publike.
Në qarkun e Lezhës, që përfshin rrethet Kurbin, Lezhë dhe Mirditë, qeverisja demokratike ka realizuar 57 rrugë, 48 shkolla, 24 ujësjellës e kanalizime, 32 qendra shëndetësore e ambulance, tregun agroindustrial e Pallatin e Kulturës./m.m//a.ke/