English

Bregu: Procesi I Integrimit Europian Nuk Bazohet Në Humorin E Liderit Të Ps-Së

- Dorëzohen në Bruksel edhe përgjigjet e pyetjeve shtesë të Pyetësorit për integrimin e Shqipërisë në BE - TIRANË, 10 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha sot, se "procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ecën vetëm në bazë të humorit të opozitës, apo të liderit të Partisë Socialiste". Ministrja Bregu informoi sot, gjatë një konference për shtyp, se ka përfunduar dorëzimi i pyetjeve shtesë të Pyetësorit për integrimin e Shqipërisë në BE. "Ne jemi të interesuar që çfarëdolloj arritje dhe zhvillimi në Shqipëri, që cilësohen pozitive nga ndërkombëtarët, sikurse ishin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, të shoqërohen me funksionimin e debatit politik. Kjo gjë nuk ka ndodhur përgjatë këtij viti, kur ka pasur një bojkot të tejzgjatur nga ana e opozitës", tha Bregu. Ajo theksoi se nga ana tjetër, qeveria ka bërë përmirësime në fusha ku ka nevojë për një progres tjetër të mëtejshëm'. "Ne po bëjmë maksimalisht atë që duhet për sa i përket zbatimit të detyrimeve në këtë proces. Pjesa e kriterit politik në këtë moment kur flasim, ka një qartësim më të madh se sa një muaj më parë", tha Bregu. Ajo shprehu bindjen se "në procesin e integrimit europian askush nuk i heq meritat qeverisë, ashtu sikurse njihen tentativat për bllokimin e procesit të integrimit, nga ana e politikanëve që kanë demostruar papërgjegjshmëri në këtë proces". Në pyetjet shtesë që i ka dërguar autoriteteve shqiptare, Komisioni Europian kërkon informacion mbi numrin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ku raportohet për një përplasje ndërmjet objektit të misioneve hetimore parlamentare dhe ligjeve në përgjithësi. Në këtë drejtim, Ministrja Bregu theksoi se autoritetet shqiptare kanë dhënë përgjigje, bazuar në ligjin për komisionet hetimore parlamentare, objektin e tyre të shqyrtimit, limitet e komisionit hetimor parlamentar dhe ku ai nuk përplaset me Kushtetutën e vendit, apo vendimet e tjera të gjykatave. Sipas saj "kjo pyetje merr shkas nga situata e fundit politike në Shqipëri ku është diskutuar gjatë mbi misionin dhe objektin e komisionit hetimor parlamentar"./n.m/
KOMENTE