Londër, 10 Qershor, NOA – Asnjë ushtar britanik shtesë në Afganistan! Ky është urdhri i ri i dalë nga zyrat e qeverisë së Britanisë së Madhe, e cila duket mëse e vendosur për të mos dërguar më asnjë ushtar tjetër në rajonin luftarak të Afganistanit.
Këtë lajm e ka bërë me dijeni vetë kryeministri britanik, David Cameron, gjatë një vizite në kryeqytetin afgan, duke theksuar se Britania nuk ka ndër mend që ta rrisë kontigjentin britanik që ndodhet aktualisht në vendin problematik.
Sipas të dhënave, Britania ka atje 9500 ushtarë, por gjithsesi Cameron vuri në dukje se vendi i tij do të dyfishojë numrin e ekipeve për çaktivizimin e bombave.
Gjë që do të thotë se Britania e Madhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ndihma për Afganistanin, vetëm se ushtarë nuk do të dërgojë më.
Ai bëri me dije ndërkaq se ky vend do të japë për këtë vit edhe 81 milionë euro të tjera ndihme për rajonin e konfliktuar afgan.
n.e/NOA