English

Demonstrata për Lidhjen e Prizrenit, policia prish kremtimet e 132-vjetorit

Foto të tjera, te Galeria

Prizren, 10 Qershor, NOA Update – 132 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarjes më të rëndësishme kombëtare për mbrojtjen e territoreve shqiptare, lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti e ka kremtuar me një demonstrim publik në rrugët e Prizrenit, me lajtmotivin “për identitet dhe dinjitet kombëtar”.

Në krye të 5 mijë tubuesve demonstrata u mbajt nga krerët e vetëvendosjes për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e emblemës komunale të Prizrenit, në të cilën paraqitet shtëpia e Lidhjes së Prizrenit.

Demonstrata mori jetë në sheshin kryesor të qytetit ku njëri nga drejtuesit e protestës, Faruk Dakaj e cilësoi rishtas planin e Ahtisaarit, në emër të të cilit është marrë vendimi për ndryshimin e emblemës komunale, si një veprim shkombëtarizues, që pas heqjes së flamurit kombëtar, himni pa tekst, serbizimi i objekteve fetare, po synon shkombëtarizimin deri edhe në vetë institucionet lokale.

Më shumë lajme nga Kosova

Demonstruesit u ndalën edhe përpara shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, ku njëri prej themeluesve të UÇK-së, Gani Krasniqi, duke theksuar se idetë çlirimtare të Lidhjes së Prizrenit janë ende gjallë në zemrat e kosovarëve, deklaroi rishtas se qeveria po e keqpërdor pushtetin politik në dëm të shtetit amë, Kosovës.

Nga Tirana, i ishte bashkuar protestuesve edhe profesori i filozofisë politike Hysamedin Feraj, i cili duke e quajtur planin e Ahtisaarit si shfytyrues për kombin në thelbin e tij, Feraj e përmbylli me një thënie fjalën e tij: Atë që nuk e bëri sulltani, e bëri vetë Enver Hasani”.

Pas përfundimit të demonstratës në Prizren, policia e Kosovës arrestoi pesë aktivistë të Vetëvendosjes, Arianit Sadikun, Muhamed Shemsiun, Durim Jasharajn, Hekuran Sejfullahun dhe Durim Xhemajlin.

Sipas njoftimit nga lëvizja për Vetëvendosje, udhëheqësit politikë të Kosovës jo vetëm po marrin vendime antishqiptare, por po i mbrojnë ato me linçim kundërshtarësh dhe më kërcënime e arrestime.

mit/NOA

KOMENTE