“Veç këtij ligji, nga 22 apo 23 ligje që keni këtu, gati 10 apo 11 janë ligje Kodesh që duan shumicë të cilësuar. Që përsëri të çojnë tek kryefjala që thashë që në fillim, që kërkohet një mirëkuptim, kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, që ky institucion duhet të përmbush misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri”.
Nga Gramoz Ruçi
Në kushtet kur ju si mazhorancë nuk po i përgjigjeni ofertës së opozitës, një ofertë shumë serioze dhe shumë e përgjegjshme, për të gjetur një mirëkuptim për bërjen bashkërisht të një mjaft reformash, aq të domosdoshme për integrimin e vendit.
Në kushtet kur opozita qysh në legjislaturën e mëparshme, ju ka propozuar një pakt për një reformë tërësore në organet e drejtësisë dhe që nga ajo ditë e deri më sot ajo ka zënë pluhur në sirtarët e seancave të kuvendit.
Në kushtet kur përsëri opozita shqiptare ju ka ofruar me shumë seriozitet mirëkuptimin e saj, që të gjithë të zgjedhurit në organet e drejtësisë, të zgjidhen me shumicë të cilësuar. Ofertë kjo që jo vetëm ka bërë që të mos marrë asnjë përgjigje, por edhe në vend që të merrte një përgjigje serioze, aktualisht sot në këtë kalendar përfshihet përgjigja më e shëmtuar.
Që jo vetëm organet e drejtësisë do zgjidhen me shumicë të thjeshtë, pa marrë parasysh afertën që ka shtruar opozita, por do të hiqet dhe votimi i fshehtë për zgjedhjen e tyre.
Pra përfundimisht grupi socialist mendon që:
Ligji për Gjykatën Administrative absolutisht që duhet. Gjykata Administrative absolutisht që duhet. Ky është mesazhi që kemi ne si opozitë për gjithë komunitetin e biznesit, e për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuar prej kohësh në këtë projektligj.
Por, as partnerët tanë ndërkombëtarë, e as biznesi shqiptar nuk kanë nevojë për një padrejtësi të re. Nuk kanë nevojë për një ligj apo gjykatë politike, që në vend që t’u japë drejtësi, t’u krijojë probleme, pengesa dhe padrejtësi të tjera. Kjo është arsyeja që ajo që nënvizova qysh në fillim është që: Veç këtij ligji, nga 22 apo 23 ligje që keni këtu, gati 10 apo 11 janë ligje Kodesh që duan shumicë të cilësuar. Që përsëri të çojnë tek kryefjala që thashë që në fillim, që kërkohet një mirëkuptim, kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, që ky institucion duhet të përmbush misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri. Madje edhe institucione të qëndrueshme, të vërteta kushtetuese të këtij vendi.
Unë përsëri ju bëj apel edhe në këtë seancë, që ta gjykoni me gjakftohtësi, ta shikoni të vërtetën në sy. Këtu opozita nuk është garnitura e mazhorancës, që çfarë do që ju të nisni ta bitisni. Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi bashkëfajtor, bashkëpërgjegjës me këtë qëndrim.
Së dyti, zonja kryetare,
Përfaqësuesja e grupit parlamentar socialist lidhur me Rezolutën për prokurorinë, ka në emër të grupit mbi 30 amendime. Të cilat i keni në dispozicion e i keni për dispozicionin që ato amendime tona të shikohen në komisionin e ligjeve.
Të reflektohen bashkërisht, e ne jemi të gatshëm ta votojmë nëse këto do të merren në konsideratë. Në qoftë se ju i qëndroni stoik mendimit tuaj për të vlerësuar në mënyrë të njëanshme, thjesht për korrigjime gjuhësore apo drejtshkrimore, por jo vlerësime reale të parlamentit, për një institucion kushtetues, siç është prokuroria e vendit, atëherë ne do të jemi të detyruar që minimumi të abstenojmë për atë Projekt- Rezolutë.
*Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentarë të PS-së, Gramoz Ruçi gjatë seancës së sotme të Kuvendit