English

Elementët E Parandalimit, Të Rëndësishëm Për Shëndetin E Mirë Të Nënës Dhe Fëmijës

- Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, merr pjesë në përurimin e Departamentit të Promocionit në Spitalin Obstetrik-gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë - TIRANË, 10 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - "Krahas elementëve të kurimit aq të domosdoshëm dhe aq jetikë për shëndetin e gruas, mosorientimi drejt politikave të parandalimit do të ishte gabim i madh", ishte mesazhi i dhënë sot nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, nga Spitali Obstetrik-Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë. Në ceremoninë e përurimit të fillimit të aktivitetit të departamentit të Edukatës Shëndetësore për Nënën dhe Fëmijën në këtë maternitet, Vasili theksoi se "sot kemi një shembull pozitiv sesi parandalimi dhe edukimi bashkëjetojnë me strukturat klinike të radhës së parë dhe nivelit të parë". Sipas tij, "në këtë mënyrë ne ecim në drejtim të një mjekësie europiane të zhvilluar që vë në radhë të parë parandalimin". "Një mjekësi bashkëkohore punon fort për parandalimin sepse shpëtimi i shumë jetëve të grave dhe garantimi i një shëndeti të mirë e të fortë të tyre eshte i rendesishem, ndërkohë që niveli klinik vazhdon të ruhet në nivel shumë të mirë", nënvizoi ministri Vasili. Ai vlerësoi se në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" kemi një shembull konkret të një pune të një niveli të lartë dhe të dyja së bashku bëjnë që gjithnjë e më shumë shqiptarë të kenë jetë të mirë, sepse marrin informacionin e duhur për t'u dalë përpara disa të këqijave, të cilat të kapura në momentin e duhur janë të thjeshta për t'u parandaluar. Nga ana e tij, drejtori i këtij spitali, Halim Kosova, tha se "edukata shëndetësore është një hallkë shumë e rëndësishme në punën e përditshme, sepse krahas edukimit të vazhdueshëm të personelit mjekësor, nëse ne nuk do të punojmë në këtë drejtim, nuk do të arrijmë ato rezultate të duhura". Në vitin 2009, kanë ardhur 41 nëna, të cilave nuk u jetonte fëmija në barkun e vet, ndërsa 3 vdekje kanë ndodhur në institucion. Kjo, sipas tij, është një shifër e konsiderueshme, çka përbën edhe një nga mangësitë në drejtim të edukatës shëndetësore, të rritjes së përkujdesit që dhe nëna duhet të bëjë për fëmijën. "Kjo është rrugë që ne e kemi filluar, do të jetë e gjatë, por ne jemi të vendosur që të vazhdojmë. Ne punojmë me moton që zgjidhja e problemeve të ndryshme që kemi përpara do të vijë nëpërmjet stafit që kërkon zgjidhje të problemeve, duke kërkuar model të tranferueshëm dhe në spitalet e tjera", theksoi Kosova. Përurimi i sotëm u bë në kuadër të vizitës së 3 viteve më parë të znj. Laura Bush, bashkëshorte e ish-Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, në këtë maternitet. Në nderim të vizitës së saj dhe në shenjë mirënjohje ndaj mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe USAID, në këtë maternitet është vendosur dhe një bazoreliev. /a.ke/
KOMENTE