Elbasan, 10 Qershor, NOA – Ndërsa peshkonte me shokët në ujërat e lumit Devoll, një 45-vjeçar është futur në ujë ku ka prekur një qesë të cilën nuk e ka parë se çfarë kishte brenda dhe në moment ajo i ka shpërthyer, duke i këputur dorën e djathtë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Mollas të Elbasanit, ndërsa burri me inicialet M.SH., banor i tij, ishte duke peshkuar me tre shokë të tij.
Ajo konfirmohet nga burimet policore të Elbasanit për agjencinë e Lajmeve NOA, duke pohuar se mendohet që ngjarja të jetë aksidentale dhe se lënda shpërthyese mund të ketë qenë një granatë dore.
Sipas tyre, i dëmtuari është dërguar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes, ndërsa
materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA