Gjergj Zheji: Jetën Ia Përkushtoi Përkthimit Dhe Promovimit Të Gjuhës Dhe Kulturës Së Kombit Shqiptar
- Presidenti Topi ngushëllon familjen e studiuesit dhe përkthyesit Gjergj Zheji-
TIRANË, 10 Qershor /ATSH/. - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjarëve të studiuesit dhe përkthyesit Gjergj Zheji, i cili ndërroi jetë sot në moshën 84 vjeçare, thekson se Gjergj Zheji gjithë jetën dhe veprën e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik e patriotik të përkthimit dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar.
"Kjo figurë e shquar dhe me vlera unikale në përkthimin, hulumtimin dhe studimin rrënjësor të kryeveprave të letërsisë dhe gjuhësisë botërore përçoi tek lexuesit dhe studiuesit e kësaj fushe, me një ndjenjë të lartë profesionalizmi dhe besnikërie, vlerat më të spikatura të gjuhës shqipe dhe letërsisë globale", thuhet në këtë mesazh.
Kreu i shtetit, Bamir Topi, vlerësoi se "me humbjen e Gjergj Zhejit, letërsia dhe gjuha shqipe e lëvruar humbën një ndër kolosët e saj, kolegët një ndër pikat kryesore të referimit akademik dhe njerëzor dhe familja njeriun më të shtrenjtë".
Personaliteti i kulturës shqiptare, Gjergj Zheji, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në disa fusha, dhe ka qenë i pari studiues që ka realizuar një monografi për jetën e Andon Zako Çajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike.
Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend nga lexuesi shqiptar, përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj. Ai ka dhënë një kontribut të madh në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë, deri te Leximi Letrar. /s.d/s.s./