Greqi - Partia Socialiste Pezullon Një Themelues Të Saj, Objekt I Një Hetimi Financiar
ATHINË, 10 qershor /ATSH-AFP/ - Partia Socialiste në pushtet në Greqi (Pasok) vendosi të pezullojë njërin prej themeluesve të saj, Akis Cohaxopulos, 71 vjeç, objekt i një hetimi të prokurorisë financiare, njoftoi sot partia.
Pas artikujve të shtypit që përmendin pasurinë e patundshme të Cohaxopulos, prokuroria financiare hapi një hetim lidhur me origjinën e fondeve që i kanë bërë të mundur atij blerjen e një apartamenti në lagjen "Akropol" si dhe blerjen e apartamenteve të tjera së fundmi.
Për shkak të dyshimeve që rëndojnë mbi të, "komisioni i partisë miratoi dje në mbrëmje raportin e komisionit disiplinor që propozoi të hënën pezullimin e Cohaxopulos nga partia", bëri të ditur Pasok-u në një komunikatë.
Bashkëthemelues i Pasok-ut në vitet 70 bashkë me Andrea Papandreun, i ati i kryeministrit aktual Jorgo Papandreu dhe kryeministër i Greqisë në vitet '80 dhe '90, Cohaxopulos ka mbajtur disa poste ministrore në vitet '80, '90 dhe në fillim të viteve 2000, në qeverinë e socialistit Kosta Simitis.
I ndodhur përballë krizës së rëndë financiare që po kalon vendi, Jorgo Papandreu ka miratuar muajt e fundit një sërë masash për të luftuar kundër evazionit fiskal dhe për rivendosjen e transparencës në sektorin publik.
Përpara tri javësh, sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Anxela Gereku, u detyrua të jepte dorëheqjen pas një skandali evazioni fiskal ku ishte përfshirë bashkëshorti i saj.
/I.Pu.