English

Greqia Dhe Libia Arrijnë Një Marrëveshje Për Bashkëpunim Strategjik

TRIPOLI, 10 qershor /ATSH-AFP/ - Libia dhe Greqia nënshkruan një letër që i hap rrugën një "bashkëpunimi strategjik" mes dy vendeve, me rastin e vizitës në Libi të kryeministrit grek Jorgo Papandreu, njoftoi sot agjencia libiane Jana. Ky dokument parashikon vënien në zbatim të një "bashkëpunimi strategjik" në fushat e investimit, të energjisë, turizmit, në atë agroushqimore, të financave dhe të energjive të riciklueshme, shtoi agjencia. Ai ka të bëjë gjithashtu me investime të përbashkëta në fushat e naftës, gazit, agroushqimore dhe të produkteve farmaceutike. Tripoli është shprehur i gatshëm në maj për të ndihmuar Greqinë të dalë nga kriza financiare që po kalon dhe për të forcuar bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Papandreu mbërriti sot në Libi për një vizitë më pak se 24 orëshe gjatë të cilës ai u prit nga lideri libian Muamar Kadhafi. "Po gjallërojmë sot një marrëdhënie të fortë dhe historike që e lidh liderin Muamar Kadhafi me babanë tim Andrea Papandreu kur ai ishte kryeministër në vitet 1980", deklaroi Papandreu i cituar nga Jana. Kreu i qeverisë greke shtoi se shoqëritë e vendit të tij mund të kontribuojnë në programin e zhvillimit të Libisë në fushat e infrastrukturës dhe arkeologjisë. Kryeministri libian Baghdadi Mahmudi parashikoi një përshpejtim të afrimit mes dy vendeve gjatë tre muajve të ardhshëm. Ai inkurajoi dje ndërmarrjet greke të marrin pjesë në projekte të zhvillimit në Libi. Greqia, e ndodhur përballë një borxhi kolosal, ka nënshkruar muajin e kaluar me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN, një dokument që e angazhon në një sërë kursimesh dhe reformash strukturore në këmbim të një ndihme prej 110 miliardë euro brenda tre vjetëve. Athina ka filluar gjithashtu një fushatë për tërheqjen e investimeve të huaja për nxitjen e ekonomisë dhe për të përballuar papunësinë. /I.Pu.
KOMENTE