Tiranë, 10 qershor, NOA - Rreth 41 gra s’kanë mundur të bëhen nëna gjatë vitit 2009, pasi foshnjat e tyre u kanë vdekur në bark.Bilanci i rëndë është dhënë nga vetë Drejtori i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, Halim Kosova, i cili nuk ka larguar fajin nga punonjësit e shëndetësisë duke theksuar se edukata shëndetësore për fëmijën është ende e ulët në këtë sektor.
Sipas Halimit, 3 vdekje foshnjash dhe 41 bebe të vdekura në bark, janë një bilanc shumë i konsiderueshëm për të cilin çdo punonjës i shëndetësisë duhet të ndjehet fajtor.
“Këto shifra duhet të vënë para përgjegjësisë të gjithë ne për të rritur kujdesin ndaj shëndetit të nënës e fëmijës. Ky bilanc na fajëson të gjithë neve ndaj duhet të punojmë gjithnjë e më shumë që të reduktojmë vdekshmërinë foshnjore”, u shpreh Kosova.
Drejtori i Maternitetit i ka vënë theksin trajnimit të punonjësve të shëndetësisë për të rritur vëmendjen ndaj shëndetit të nënës e fëmijës.
Sipas tij, nëse kjo nuk do të ndodhë, shifra të frikshme do të raportohen gjithmonë.
Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” është hapur dhe departamenti i ri për edukatën shëndetësore të nënës e fëmijës me fondet e USAID e ambasadës amerikane.
Në përurim morën pjesë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili e përfaqësues të donatorëve.
Sipas të dhënave të ministrisë, Shqipëria raporton shifra të larta të vdekshmërisë foshnjore duke e renditur atë ndër vendet e para në rajon.
Ky fakt është theksuar dhe nga kryeministri Berisha I cili ka kërkuar ndërhyrje emergjente për reduktimin e shifrave të vdekshmërisë foshnjore.
b.a/NOA