English

Histori: Kisha E Shën Gjergjit, Një Monument Modern Mbi Themelet E Një Qytetërimi Të Hershëm

FIER, 10 qershor /ATSH -Rr.Isufaj/ - Në qendër të Fierit, pranë urës kryesore mbi lumen Gjanicë, dikur ngrihej kisha e Shën Gjergjit, një nga monumentet më të bukura dhe vepra më e madhe e kultit në Myzeqe, e cila nuk i rezistoi dot stuhisë antifetare që ndërmori qeveria komuniste në vitin 1967. Dëshmitarë të asaj kohe, kur komunizmi kërkonte të shfaroste nga memorja e brezave dëshminë qindravjeçare të ekzistencës së besimit dhe qytetërimit, tregojnë momentet e dhimbjes së thellë, por dhe të heshtjes së madhe. "Një ditë të bukur vere të vitit 1967, buldozerët dhe ekskavatorët zhdukën çdo gjurmë të kishës," thotë K.Prifti, 78 vjeç. "Ne shikonim me dhimbje të heshtur e frikë dhe s'flisnim, ndonëse në thellësi të shpirtit ndjenim dhimbjen e këtij krimi barbar," thotë Prifti. Sipas historianit Ilirjan Gjika, "kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte krenaria e monumentetve fetare në krejt rajonin e Myzeqesë. Ajo përbëhej prej 3 nefesh, pagëzimores dhe dy portikëve. Në vitin 1923 në vend të këmbanores së vjetër u ngrit këmbanorja e re," thotë Gjika. Sipas Gjikës, kisha u ndërtua në vitin 1782 nga një grup ndërtuesish të drejtuar nga mjeshtri i quajtur Gega, mbi rrënojat e një kishe më të vjetër, të quajtur Shën Mëria. "Kisha ka qenë e suvatuar nga brenda dhe e pajisur me afreske," thotë Gjika. Sipas tij, afresket që zbukuronin kishën e Shëngjergjit ishin pikturuar nga piktori Joan Çetiri në vitin 1782. Sipas Gjikës, themelet e kishës së parë, datojnë në shekullin e XV .Sot mbi themelet e kishës së vjetër ngrihet një monument madhështor, me arkitekturë moderne, dhe me ambiente të bollshme për organizimin e ceremonive dhe riteve fetare. Kisha e re u ndërtua gjatë peridhës 1996-2000. Pak histori për shënjtin Shën Gjergji Emri i këtij shenjti martir ka hyrë në Panteonin kristian në kohën e Perandorisë Romake, kur sundonte perandori me origjinë ilire, Diokliciani. Shën Gjergji ishte me origjinë nga provinca romake e Kapadokisë, në Azinë e Vogël. Figura e Shën Gjergjit është paraqitur në frontonin e kishës së re në një mozaik. Ai paraqitet në aktin final duke i ngulur shtizën dragoit. Figura e Shën Gjergjit nderohet sot nga të dyja kishat, si ajo katolike, ashtu edhe nga ajo ortodokse./ch/
KOMENTE