English

Ilo: "Bëj Gol, Jepi Fund Punës Së Fëmijëve"

TIRANË, 10 Qershor/ATSH/.- Ashtu siç futbolli çel nesër Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në të njëjtën ditë shënon Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, me një apel urgjent "Bëj gol: Jepi fund punës së fëmijëve," duke bërë thirrje për vëmendje të veçantë, e cila synon eleminimin deri në 2016, të të gjitha formave më të këqija të punës së fëmijëve. "Ndërsa miliarda njerëz në mbarë globin janë pushtuar nga ethet e Kupës së Botës në futboll, rreth 215 milionë fëmijë në mbarë botën vazhdojnë të punojnë për të jetuar. Arsimimi dhe argëtimi janë luks për ta. Progresi drejt eleminimit të punës së fëmijëve është ngadalësuar dhe ne nuk jemi në kursin e parashikuar për të arritur që në 2016 t'i japim fund formave më të këqija të saj. Do të mobilizohemi sërisht për të ecur me shpejtësi. Le të frymëzohemi nga Kupa e Botës që të rrisim energjinë për të kaluar këtë sfidë, duke zbatuar strategjinë e drejtë dhe treguar angazhimin e duhur për të realizuar qëllimin", deklaron Drejtori i Përgjithshëm i ILO, Juan Somavia. Aktivitete me rastin e Ditës Botërore po mbahen në më shumë se 60 vende të botës, me pjesëmarrjen e qeverive, punëdhënësve, punëmarrësve, përfaqësive të OKB, organizatave jo-fitimprurëse dhe shoqërisë civile. Jane organizuar dhe do te organizohen takime, debate politike të nivelit të lartë, ndeshje futbolli dhe aktivitete të tjera sportive, debate publike, ngjarje mediatike, fushata ndërgjegjësuese, shfaqje kulturore dhe aktivitete të tjera publike. Shumë aktivitete do të fokusohen në tërheqjen e vëmendjes nëpërmjet fushatës së "Kartonit të Kuq kundër punës së fëmijëve", iniciativë kjo e udhëhequr nga ILO, që përfshin edhe botimin e një seti publikimesh, prodhuar në bashkëpunim me FIFA dhe që kanë për qëllim shfrytëzimin e lojës popullore të futbollit për të mbështetur projektet e fokusuara në eleminimin e punës së fëmijëve. Në 11 qershor, Konferenca Ndërkombëtare e Punës, që po mbahet në Gjenevë, do të diskutojë të rejat që sjell Raporti Global mbi Punën e Fëmijëve. Në të njëjtën ditë, për të shënuar Ditën Botërore, qindra fëmijë të shkollave lokale do të marrin pjesë në aktivitetin "Solidariteti i Fëmijëve" në Place des Nations (Sheshi i Kombeve), organizuar nga shoqata "Respekti ta ndryshon jetën", në bashkëpunim me ILO-n. Fëmijët dhe udhëheqësit lokalë do të mblidhen rreth një slogani që përbën qëllim për futbollin "Bëj Gol: Jepi fund punës së fëmijëve" dhe do të nxjerrin "Kartonin e Kuq kundër punës së punës". Dita Botërore celebrohet një muaj pasi më shumë se 450 delegatë nga 80 vende të botës u takuan në një konferencë në Hagë, të thirrur nga Qeveria e Holandës, e cila kishte në qendër të saj miratimin nga vendet pjesëmarrëse të një plani, i cili do të mundësojë përshpejtimin e progresit për arritjen e qëllimit, eliminimin e formave më të keqija të punës së fëmijëve deri 2016. Udhërrëfyesi paraqet parimet bazë dhe përcakton veprimet që do të merren nga qeveritë, partnerët socialë (punëdhënësit dhe punëmarrësit), shoqëria civile, organiztat jo-fitimprurëse, organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Marrëveshja mbi Udhërrëfyesin erdhi si një paralajmërim i gjetjeve të Raportit të tretë Global të ILO-s mbi Punën e Fëmijëve, i cili fushatën botërore kundër punës së fëmijëve e konsideron në një pikë kritike. Raporti tregon se përpjekjet globale për eleminimin e formave më të keqija të punës së fëmijës e kanë humbur vrullin dhe paralajmëron se, nëse ato nuk shënojnë arritje mbresëlënës, objektivi i 2016 nuk do të arrihet. Ky objektiv u vendos më 2006, pas trendit pozitiv të konstatuar nga Raporti i mëparshëm Global, i cili sugjeronte se eleminimi i formave më të keqija të punës së fëmijëve është i mundur të arrihet deri në 2016./e.gj//a.ke/
KOMENTE