English

Iran - Rusia: Sanksionet Nuk Pengojnë Livrimin E Raketave S-300

TASHKENT, 10 qershor /ATSH-AFP/ - Sanksionet e vendosura nga OKB-ja kundër Iranit në kuadrin e programit të tij të polemizuar bërthamor nuk pengojnë livrimin e raketave të sofistikuara ruse S-300 në Republikën islamike, deklaroi sot në mbrëmje ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. "Rezoluta e OKB-së përfshin kufizime në bashkëpunimin me Iranin në fushën e armëve ofensive, por jo për armët e mbrojtjes", deklaroi Lavrov përpara gazetarëve në kryeqytetin uzbek Tashkent, në kuadrin e një samiti të Organizatës së Shangait për Bashkëpunimin, OCS. Ministri iu përgjigj pyetjes lidhur me mundësinë që Rusia t'i japë Iranit raketa S-300 pas sanksioneve të votuara dje në OKB. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndalon veçanërisht shitjen e tetë tipeve të reja të armatimit të rëndë Iranit dhe vendos kufizime të tjera për investimet iraniane jashtë vendit. Moska dhe Teherani kanë rënë dakord përpara shumë kohësh lidhur me livrimin e raketave S-300. Por, Rusia nuk i ka livruar këto armë, duke nxjerrë si arsye probleme teknike, gjë që shkakton acarimin e Teheranit. /I.Pu.
KOMENTE