English

Itali - Senati Miraton Një Ligj Të Polemizuar Për Përgjimet

ROMË, 10 qershor /ATSH-AFP/ - Senati italian, i dominuar nga e djathta e Silvio Berluskonit, miratoi sot gjatë një seance votëbesimi të bojkotuar nga opozita, një ligj të polemizuar që kufizon ndjeshëm përdorimin e përgjimeve telefonike në hetimet e drejtësisë. Për të hyrë në fuqi, ligji duhet të miratohet në të njëjtat afate nga Dhoma e deputetëve më tej të nënshkruhet nga presidenti i Republikës. Një nga masat më të kritikuara është ajo që parashikon kufizimin e përgjimeve telefonike në 75 ditë. Ky afat mund të zgjatet gradualisht. Por, kjo zgjatje duhet të miratohet çdo herë nga një kolegj prej tre gjykatësish, një mekanizëm i komplikuar, i kritikuar si nga drejtësia dhe nga policia. "Ky ligj ndihmon kriminelët t'u shpëtojnë drejtësisë dhe nuk ka të bëjë asnjë lidhje me respektimin e jetës private, që është vetëm një pretekst", kritikoi sekretari i shoqatës kombëtare të gjykatësve Giuseppe Cascini në kanalet e televizionit Sky TG-24. Disa gjoba të rënda që shkojnë deri në 450 000 euro për publikimin e përgjimeve telefonike në media kanë shkaktuar protesta të botuesve dhe gazetarëve. Redaksitë e lajmeve të tre kanaleve të Mediaset, kompania që i përket familjes Berluskoni, marrin pjesë në zemërimin e gazetarëve dhe mbështesin parimin e një greve të përgjithshme të të gjitha mediave e planifikuar për ditën e miratimit përfundimtar të ligjit (ndoshta në fillim të korrikut), njofton federata kombëtare e shtypit. Sipas mazhorancës së Silvio Berluskonit, ky ligj është i nevojshëm për të mbrojtur jetën private të qytetarëve të cilët shumë shpesh i shohin emrat e tyre të shfaqen nëpër gazeta në kuadrin e publikimeve të shpeshta të përgjimeve. Ligji nuk prek masat e parashikuara në hetimet kundër mafias dhe terrorizmit, sidomos afatat më të gjata për vënien në përgjim. Opozita akuzon mazhorancën se po përpiqet t'i mbyllë gojën shtypit dhe të shmangë publikimin e çëshjeve si ajo që prek aktualisht shefin e Mbrojtjes civile Guido Bertolaso, një dëshmitar i mbrojtur i Berluskonit, i dyshuar për korrupsion në ndarjen e tregjeve publike. Skandali solli rrëzimin nga posti të ministrit të Zhvillimit Ekonomik Klaudio Skajola. Disa deputetë të IDV-së qëndruan gjatë gjithë natës në Senat në shenjë proteste. "Ky ligj është diçka pa vlerë dhe me të vihet në rrezik demokracia", u shpreh me forcë Felice Belisario, shef i senatorëve të partisë së opozitës Italia e vlerave, IDV, e ish-gjykatësit Antonio Di Pietro. "Ju kërkoni të fshihni bizneset tuaja dhe përdorimin që i bëni parave publike, ju thoni se mbroni jetën private, por kjo bëhet që popullit t'i hidhet hi syve". Anna Finocchiaro, kryetare e senatorëve të Partisë Demokratike (PD, partia kryesore e opozitës), duke njoftuar bojkotimin e votimit. /I.Pu.
KOMENTE