Librazhd, 10 Qershor, NOA – Ndërsa po kalonte nga njëra anë, në tjetrën të rrugës, një drejtues automjeti ka aksidentuar rëndë një kalimtare që po tentonte të bënte të njëjtën gjë.
Ngjarja raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Librazhdit, sipas të cilave, për autorësinë e saj është arrestuar në flagrancë 60-vjeçari Enver Toçka, lindur e banues në fshatin Urakë të Librazhdit.
Konkretisht, arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, në fshatin Hotolisht, ky person duke drejtuar automjetin në pronësi të tij, tip Benz veturë me targë LB 2597 A, ka aksidentuar 68-vjeçaren me inicialet L.S, me banim në fshatin Venac të Librazhdit, e cila ishte kalimtare në rrugë dhe po tentonte të kalonte rrugën nga njëra anë, në anën tjetër.
E dëmtuara është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Librazhdit, në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa nga ana e forcave policore po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, e cilat parashikohet nga neni 290 i Kodit Penal.
n.e/NOA