Kola: Në Sportelet E Qkr-Së Janë Regjistruar 134 Mijë Biznese
TIRANE 10 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Numri i bizneseve të regjistruara ne shkallë vendi pranë sporteleve të Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit (QKR) është 134 mijë, tha sot drejtori i saj, Tom Kola.
Në një konference për shtyp, Kola tha se "numri i i rregjistrimit të biznesit gjatë periudhës janar-maj 2010 është rritur 28 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë".
Ai theksoi se shtimi i numrit të bizneseve tregon se ekonomia po ecën më tepër se në të gjitha vendet e bllokut lindor, që mbështetet edhe nga treguesit e rritjes ekonomike.
"Kjo dinamikë e shoqërive tregtare tregon se është krijuar një bazë e shëndoshë në vitin paraardhës", tha Kola.
Duke u ndalur në shifra, ai tha se numri i bizneseve të regjistruar në 5-mujorin e parë 2009 ishte 6.967, ndërkohë që në të njëjtën periudhë sivjet, janë regjistruar 8.946 biznese të reja.
Ndërkohë, Kola bëri të ditur se që nga shtatori i vitit 2007 nuk ka patur asnjë faliment nga biznesi, ndërsa numri i çrregjistrimeve për periudhën janar-maj të ktëij viti krahasuar me atë të vitit 2009 ka pësuar një ulje prej 6.3 %.
Qendra Kombëtare e Rregjistrimit të biznesit (QKR) që u hap në shtator, 2007 ofron një zgjidhje "one-stop-shop" për regjistrimin e biznesit dhe shërben si sportel i vetëm për të gjitha llojet e entiteteve të biznesit në të gjithë vendin. Në të kryen aplikimet për të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, përfshirë regjistrimin e taksave në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, Inspektoriatin e Punës dhe Institutin Kombëtar të Statistikave.
Procedurat elektronike që Zbatohen në QKR kanë bërë që Regjistri Tregtar shqiptar dhe ai i regjistrimit të biznesit të përputhen plotësisht me të gjitha direktivat e Bashkimit Europian dhe janë plotësisht të aksesueshëm për përdoruesit e bizneseve si shqiptarë, dhe të huaj. Në vend numërohen rreth 80 sportele në pothuaj të gjitha bashkitë.
Hapja e QKR sipas modelit "One stop shop" u mbështet nga programi i Sfidës së Mijëvjeçarit të financuar nga SHBA dhe zbatuar nga qeveria shqiptare dhe USAID./n.m/