Drejtuesit e PDU-së kontribuojnë për familjen e shkrimtarit dhe atdhetarit të shquar, Petro Marko
Tiranë, 10 Qershor 2010 NOA - Drejtues të këtij komuniteti dhe të PDU vizitojnë familjen e shkrimtarit të madh patriot Petro Marko dhe i dhurojnë një kontribut financiar
Apelit të mediave shqiptare dhe maratonës së solidaritetit të iniciuar nga një e përditshme shqiptare për familjen e shkrimtarit të nderuar Petro Marko, drejtues të komunitetit çam dhe përfaqësues të lartë të PDU-së iu përgjigjën me një reagim të menjëhershëm.
Në takimin e zhvilluar gjatë paradites së sotme me familjarë të shkrimtarit, drejtuesit e këtij komuniteti dhe kreu i PDU-së deputeti Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, shprehën gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar apelit publik për ndihmesë të familjes.
Krerët e këtij komuniteti të shoqëruar edhe nga gazetarë dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa, në takimin që patën me bijën e shkrimtarit Arianita Marko konfirmuan mbështetjen e tyre për familjen, duke i dhuruar pjesëtareve të familjes një shumë prej 5 000 euro.
Gjatë bisedës me bijën e shkrimtarit krerët e komunitetit çam u njohën me gjendjen dhe shqetësimet serioze të shëndetit të dy pjesëtarëve të kësaj familjeje,bashkëshortes së shkrimtarit, piktores së njohur Safo dhe djalit, poetit Jamarbër Marko.
Kreu i PDU-së, deputeti Idrizi, deklaroi pas aktit dhurues për gazetarët se ndihej tejet i tronditur nga gjendja ekonomike dhe kushtet në të cilat ngrysin ditët e tyre prej kaq vitesh të tranzicionit, pjesëtarët e nderuar të kësaj familjeje të shquar.
Ai shtoi se apelon për institucionet e larta shtetërore, për parlamentin dhe qeverinë, bashkinë e Tiranës dhe gjithë institucionet e kulturës kombëtare të kthejnë sytë nga familje të tilla të cilat janë nderi i kombit, por që gjenden në kushte skandaloze ekzistenciale.
Idrizi kërkoi që këto institucione të veprojnë sa më parë për të ndihmuar në kurimin e dy pjesëtarëve të sëmurë, në vlerësimin e veprës së çmuar të patriotit dhe shkrimtarit të klasit të parë shqiptar si dhe në ndryshimin e gjendjes financiare të kësaj familjeje që ofron vlerat e shumta dhe të vyera të atdhedashurisë dhe artit kombëtar.
r.n/NOA