Kosove - Keshilli I Sigurise, Mbeshtetje Qeverise Kunder Korrupsionit Dhe Krimit Te Organizuar
PRISHTINË, 10 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Këshilli i Sigurisë i Kosovës i jep mbështetje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojë luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, sot është mbajtur mbledhja e shtatë e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku Thaçi paraqiti një vlerësim të gjendjes së sigurisë në vend.
Zyra e shtypit e qeverisë kosovare bën të ditur se, duke vlerësuar gjendjen e sigurisë si të qetë dhe te stabilizuar, kryeministri Thaçi përmendi incidentet që kanë ndodhur në Komunën e Istogut me të kthyerit, sulmin me granata dore në Komunën e Zubin Potokut, hedhjen në erë të antenave të operatorëve legale të telefonisë dhe kërcënimin ndaj KFOR-it danez. Këto incidente u cilësuan si të izoluara dhe pa ndikim në prishjen e gjendjes së qëndrueshme të sigurisë.
Aktin e organizimit të zgjedhjeve të paligjshme nga Qeveria e Serbisë në pjesën Veriore të Kosovës, Këshilli i Sigurisë i Kosovës e vlerësoi si vazhdimësi për instrumentalizimin e qytetarëve serbë të Kosovës dhe tendencë për destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë. Ndërsa, pjesëmarrja e ulët të qytetarëve serbë të Kosovës në këto zgjedhje u vlerësua tregues i mirë për gatishmërinë e qytetarëve serbë për t'u integruar në institucionet e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Thaçi ka përgëzuar Policinë e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të protestave të fundit në Mitrovicë, ku u parandalua një konflikt i mundshëm ndëretnik.
Këshilli i Sigurisë i Kosovës i dha mbështetje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vazhdojë luftën pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe që të jetë e hapur me institucionet ndërkombëtare për të bashkëpunuar lidhur me këtë çështje. /a.ke/