Kosove - Perkujtohet 132 Vjetori I Lidhjes Shqiptare Te Prizrenit
PRISHTINË, 10 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Në Kosovë përkujtohet 132 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për herë të tretë në shtetin e pavarur.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, në kohën për diskutime jashtë rendit të ditës, deputeti Nait Hasani tha se kjo datë "duhet të jetë festë e shqiptarëve në Ballkan".
Sipas tij, "kjo ditë nuk identifikon Kosovën, as Shqipërinë veç e veç. Kjo datë, 10 qershor 1878, tregon identitetin tonë shqiptar, tregon burimin e frymëzimit të shtetit shqiptar, por edhe burimin e frymëzimit të luftërave për çlirim dhe liri dhe Kosovën shtet".
"Kjo datë duhet të na bashkojë, si në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, kudo në Ballkan", tha Hasani, deputet i Grupit Parlamentar të PDK-së, duke përkujtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Ndërsa në Prizren, sot mbahet nje veprimtari solemne, e cila i kushtohet festës së 10 Qershorit - Ditës së Lidhjes së Prizrenit, në kujtim të kësaj date të historisë tonë kombëtare dhe të gjithë atdhetarëve që u sakrifikuan në përpjekje për realizimin e ëndrrave shekullore për liri e pavarësi. /a.ke/