Sot, ju mund të ndjeheni të zhgënjyer, sepse sot ka një krizë besimi ndaj politikës. Ju nuk jeni ende plotësisht të sigurt nëse Qeveria e mendon atë që e thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe do ta çrrënjosë atë nga sistemi. Nuk mund të ecim përpara, nëse jemi të zemëruar me njëri-tjetrin dhe nëse kemi dyshime në motivet e njëri-tjetrit. Mund të ecim përpara vetëm nëse jemi të bashkuar në qëllimet dhe synimet tona
Nga Hashim Thaçi*
Qytetarë të nderuar,
Kaluan njëmbëdhjetë vite në liri, dhe mbi dy vite nga koha kur bashkërisht e shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Deri tani shteti i Kosovës është njohur nga 69 shtete anembanë botës. Par fat të keq, ende ka shtete që sillen me Kosovën thua se ajo nuk ekziston. Ndërsa mesazhi ynë është i qartë: Kosova ekziston dhe është shtet funksional. Sot, dje dhe nesër. Përgjithmonë. Ne jemi popull krenar. Krenar për trashëgiminë dhe shumë-etnicitetin tonë. Krenar për historinë tonë dhe plot shpresë për të ardhmen. Kosova do të jetë model i tolerancës dhe shumë-etnicitetit për të gjithë Evropën. Ky është synimi im dhe premtimi im për ju.
Unë besoj se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur, siç parashihet në Planin Ahtisaari, po i vjen fundi dhe sfida jonë në të ardhmen do të jetë për të ecur përpara me aspiratat tona Euro-Atlantike. Mirëpo, a e kemi arritur çdo gjë që kemi dëshiruar ta bëjmë? Natyrisht, se jo. Por, nuk është në frymën e popullit tonë që të dorëzohemi para sfidave. Qytetarë të nderuar, Është synim imi që gjatë vitit 2010, pas fazës së hershme të pavarësisë, t’i konsolidojmë sukseset e vendit tonë. Ne duhet ta duhet ta përmirësojmë rritjen ekonomike, duhet ta forcojmë sundimin e ligjit dhe t’i dyfishojmë përpjekjet tona. Roli i Qeverisë është për t’i siguruar të gjithë ata që duan ta fillojnë një biznes, se mund ta bëjnë atë dhe të mos mbeten peng të procedurave burokratike, të panevojshme. Ju premtoj, se ne kurrë nuk do t’ua kthejmë shpinën juve e as obligimeve tona për të krijuar një ekonomi moderne, prosperuese dhe që krijon vende pune për të gjithë të rinjtë tanë, për të gjithë qytetarët tanë.
Në dy vitet e para të pavarësisë shënuam rritje ekonomike. Ne duhet të arrijmë norma edhe më të larta të rritjes për të ulur nivelin e lartë e të papranueshëm të papunësisë, sidomos tek rinia jonë. Ne, po ashtu, duhet ta ulim pjesëmarrjen e Qeverisë në ekonomi, për të stimuluar sektorin privat. Kjo është arsyeja pse ne po i privatizojmë asetet e shtetit: – KEK-un dhe PTK-në. Dhe së voni, ne e kemi përmbyllur me sukses të plotë dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës një kompanie prestigjioze ndërkombëtare për 20 vitet e ardhshme. Duke larguar ndikimin e Qeverisë nga udhëheqja e ndërmarrjeve publike, ne mund ta promovojmë sektorin privat dhe të përqendrohemi në punën e vërtetë të Qeverisë, që është ndërtimin dhe funksionimi i institucioneve demokratike të shtetit. Ne kemi ngritur performancën e ekzekutimit të shpenzimeve kapitale, pjesën prej së cilës më së shumti përfitoni direkt Ju, qytetarë të nderuar. Përmes kësaj, ne po e ndërtojmë një infrastrukturë moderne, e cila do të jetë një themel i fortë i rritjes ekonomike të Kosovës në të ardhmen. Vetëm nga Projekti i ndërtimit të autostradës, ne po hapim rreth 4000 mijë vende të reja të punës. Qytetarë të nderuar, Kur jam zgjedhur nga ju, jam përkushtuar për furnizim me 24 orë energji elektrike, pa ndërprerje. Këtë vit, ne do të fillojmë projektin madhor energjetik “Kosova e Re” që do të sigurojë 24 orë energji elektrike.
Sistem i shpërndarjes së energjisë elektrike duhet të modernizohet dhe për t’i gjetur burimet për ta bërë këtë, ne duhet ta privatizojmë rrjetin ekzistues dhe të tërheqim investimet e huaja.
Ne gjithashtu po marrim hapa për të stimuluar rritjen ekonomike, duke i reformuar politikat fiskale. Kemi shkallët tatimore më të ulëta në rajon. Gjithashtu, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne po e zhvillojmë një strategji moderne për bujqësinë, e cila është dizajnuar për t’i sjellë bujqit tanë me standardet e shekullit 21.
Qytetarë të nderuar,
Si Kryeministër, e kam çdo ditë në mendje premtimin tim për një qeverisje transparente dhe të hapur. Një qeverisje ndryshe. Një qeverisje që do të mënjanonte praktikat e vjetra, të dëmshme. Një qeverisje që nuk do të toleronte çfarëdo keqpërdorimi të pozitës. Për më tepër, ju kisha premtuar se në rast se do të ndodhte diçka e tillë, ne do ta çrrënjosnim.
Sot, ju mund të ndjeheni të zhgënjyer, sepse sot ka një krizë besimi ndaj politikës. Ju nuk jeni ende plotësisht të sigurt nëse Qeveria e mendon atë që e thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe do ta çrrënjosë atë nga sistemi.
Me vjen keq që nuk ia kemi arritur që t’iu bëjmë të ndjeheni më të sigurt, por ju siguroj se ne nuk e tolerojmë korrupsionin, ashtu siç nuk e toleroni ju. Institucionet e Kosovës, do të jenë në vijën e parë në luftë kundër korrupsionit.
Nëse dyshimet aktuale do të dëshmojnë se janë bërë keqpërdorime, ne do të ndërmarrim masa të menjëhershme ndaj atyre që gjenden fajtorë. Kjo është ajo çka ju prisni nga ne dhe çka ne kërkojmë nga vetvetja.
Për të ndërtuar sundimin e ligjit, ne po ecim përpara duke miratuar 4 ligje që do ta thjeshtojnë dhe modernizojnë kornizën bazike për institucionet tona të sundimit të ligjit, duke i përfshirë gjykatat, dhe duke siguruar mbikëqyrje efektive të prokurorëve dhe gjykatësve. Shpejt pritet të miratohet Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale, të cilët janë plotësisht të rishikuar dhe të modernizuar. Edhe njëherë e them, kemi shumë punë për të bërë. Ne po punojmë që t’iu sigurojmë një sistem gjyqësor që punon pa ndërhyrje politike. Këto janë vetëm disa nga sfidat e mëdha.
Qytetarë të nderuar, Ju siguroj, se unë dhe të gjithë në Qeverinë time, jemi shumë të vetëdijshëm se detyra jonë e parë dhe më e rëndësishme është që të meritojmë respektin tuaj. Dhe mbi të gjitha të jetojmë me integritet dhe ndershmëri.
Po punojmë zellshëm çdo ditë, për t’ ju ofruar një Qeverisje që është po aq e mirë sa edhe qytetarët që iu shërben. Ne do të punojmë me EULEX-in dhe me partnerët të tjerë ndërkombëtarë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë me qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Një sistem i cili inkurajon investimet, duke zbatuar kontratat dhe duke inkurajuar zgjidhjen e shpejt të mosmarrëveshjeve, duke i bërë të gjithë- madje edhe udhëheqësit tuaj – të përgjegjshëm ndaj standardeve të njëjta. Ky synim është top prioritet i kësaj Qeverie.
Unë e kam mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, - shpresoj në bashkëpunim dhe partneritet, - duke përjashtuar çdo fërkim të panevojshëm. Por Kosova nuk guxon të mbështetet vetëm tek partnerët e saj, për t’u siguruar që drejtësia të jetë larg frikës apo favorizimit. Drejtësia është në dispozicion në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
Qytetarë të dashur, Ju të gjithë e dini që një nga fqinjët tanë nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe punon pandërprerë për ta minuar atë.
Unë ju siguroj që përpjekjet e tyre do të dështojnë. Ne jemi përballë një sprove të madhe në javët dhe muajt në vijim për shkak se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet ta japë opinionin e shumëpritur për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Çfarëdo që të jetë vendimi, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara dhe ne do ta kemi mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë.
Por, ne duhet të përgatitemi për një sfidë të re që vjen nga Beogradi.
Tanimë është folur shumë për bisedime teknike të reja mes nesh dhe fqinjëve serbë. Me lejoni që t’ju siguroj se Qeveria ime gjithnjë është e gatshme për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv, në mënyrë të barabartë, me cilindo shtet tjetër. Mirëpo, ne kurrë nuk do të ulemi për të negociuar pavarësinë tonë apo integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një dhe Kushtetuta e saj do të zbatohet në mënyrë të barabartë përgjatë gjithë territorit të këtij vendi. Qeveria që udhëheq unë asnjëherë nuk do të pajtohet për t’i rihapur këto çështje, të cilat janë vendosur fuqishëm dhe njëherë e përgjithmonë.
Ne duam të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në këtë drejtim, Qeveria ime është duke punuar me BE-në në përgatitjen e procesit, i cili do të na shpie drejt anëtarësimit dhe unë shpresoj që liberalizimi i vizave do të jetë përfitim i parë kësaj përpjekjeje. Përderisa KFOR-i po e përmbyll misionin e tij të sukseshëm në Kosovë, ne po angazhohemi me Aleancën e madhe që Kosova të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe dhe që përfundimisht të hyjmë në një Plan të Veprimit për anëtarësim.
Ne po punojmë me partnerët tanë për të përcaktuar një të ardhme të qartë për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Duhet të sigurohemi se Kosova ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Vjeshtën e kaluar, ne e befasuam botën me suksesin e zgjedhjeve lokale dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë serbë, të cilët kanë zgjedhur rrugën e përqafimit të decentralizimit dhe që shfrytëzuan rastin për të marrë përsipër përgjegjësinë për qeverisjen lokale.
Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të krijuar të njëjtat mundësi për qytetarët që jetojnë në veri të lumit Ibër. Duhen ide të reja.
Sigurisht se në relacionet e Kosovës dhe Serbisë, në ecjen drejt anëtarësimit të plotë – dhe të barabartë – në Bashkimin Europian, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, mund të gjejmë forma të reja të bashkëpunimit, që njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës Veriore, duke ruajtur tërësinë e saj të plotë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona.
Qytetarë të dashur,
Në fund, dua të flas për shpirtin e popullit tonë.
Janë bërë pak më shumë se dy vite që nga dita e gëzuar e pavarësisë sonë. Kur u bashkuam si popull, si Kosovë, të gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat para nesh. Të gatshëm për t’u përballur me mundësitë e reja për një të ardhme më të mirë. Shteti ynë është lindur nga domosdoshmëria që qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë. Shikoni se sa larg kemi arritur, por kemi edhe shume rrugë për të bërë.
Ka qenë dhe është nderi dhe privilegji im, si kryeministër i parë i zgjedhur i Kosovës së Pavarur. Do të vazhdoj të jem në krye të obligimeve dhe do të vazhdoj të marrë vendime, që mendoj se janë më të mirat për vendin dhe për ju, qytetarë të nderuar.
Por unë nuk jam i pagabueshëm. Nuk jam i përsosur. Më duhet ndihma dhe përkrahja juaj. Nuk mund të ecim përpara, nëse jemi të zemëruar me njëri-tjetrin dhe nëse kemi dyshime në motivet e njëri-tjetrit.
Mund të ecim përpara vetëm nëse jemi të bashkuar në qëllimet dhe synimet tona. Kërkoj ndihmën tuaj. Kërkoj përkrahjen tuaj. Kërkoj unitetin e popullit tonë.
Prandaj, le të punojmë së bashku që tridhjetë muajt e ardhshëm të jenë edhe më të suksesshëm se të kaluarit. Do të vazhdojmë të bëjmë punë të mira, duke mësuar nga gabimet tona, për të mos i përsëritur ato në të ardhmen.
Ne jemi një shtet i ri, por me një të ardhme të ndritur. Krenohuni me vendin tuaj Kosovën. Krenohuni me veten tuaj dhe me të ardhmen tonë.
(*) Fjalim i Kryeministrit drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës