Kuvend/Basha: Po Vendosim Standard Europian Në Trajtimin E Familjarëve Të Personave Të Rënë Në Detyrë
TIRANË, 10 Qershor/ATSH/.- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha sot në Kuvend se, p/ligji "Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar të familjarëve të personave, rënë në krye të detyrës", vendos një standart europian.
Gjatë diskutimit sot në Kuvend për këtë p/ligj, ministri i Brendshëm tha se drafti i jep fund zvarritjeve dhe neglizhimit për një kohë të gjatë të një kategorie qytetarësh, që i përkasin familjarëve të punonjësve të organeve ligjzbatuese që humbasin jetën në krye të detyrës.
"Për herë të parë me këtë p/ligj vendosim një standart plotësisht në lartësinë e standarteve europiane, duke u rialokuar familjeve të të rënëve në krye të detyrës, rrogën e plotë të prindit, bashkëshortit, të birit apo bijës dhe çdo rritje të kësaj rroge, deri në përmbushjen e kushteve të moshës madhore për fëmijët", tha ministri Basha, duke vlerësuar dhe konsensusin e opozitës për këtë p/ligj.
Projektligji "për trajtimin ekonomik e financiar dhe dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës përcakton në mënyrë të saktë ndihmën dhe trajtimin e familjeve të personave që janë pjesë e strukturave të mësipërme, të cilët humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës.
Familjarë të shtetasve, të cilët humbin jetën në rrethana të caktuara që lidhen me situata emergjente në veprimtarinë e këtyre strukturave (humbin jetën duke u vënë në ndihmë në mënyrë vullnetare si për shembull në raste emergjencash civile) trajtohen në mënyrë të ngjashme sipas dispozitave të parashikuara në projektligjin në fjalë, duke synuar të japë një përcaktim të qartë të pensionit, pensionit suplementar dhe shpërblimit të menjëhershëm të familjarëve të punonjësve që humbin jetën në detyrë.
Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, trajtim preferencial për kredi strehimi nga Enti Kombëtar i Banesave etj, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara./a.s//n.m/