Kuvend/Deputetët Diskutojnë Në Debat Të Lirë
TIRANË, 10 qershor/ATSH/.- Debati i lirë në Kuvend mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës gjatë seancës së sotme plenare u përqëndrua tek situata ekonomike në vend, në kritikat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, moszgjidhja e krizës politike, drafti për imunitetin etj.
Deputeti socialist, Armando Subashi shprehu shqetësim për krizën e pazgjidhur politike në vend dhe i kërkoi maxhorancës të "dëgjojë kërkesën e komunitetit ndërkombëtar dhe të pranojë kompromisin e pranuar tashmë nga opozita, që bashkarisht t'i hapim rrugën reformave".
Deputeti demokrat, Flamur Noka akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mungesën e parqeve dhe mjediseve të gjelbëruara, të cilat, në mënyrë abuzive dhe klinteliste i janë dhënë firmave ndërtuese për ngritjen e objekteve të banimit. Kjo politikë, sipas tij, bëhet në kurriz të banorëve të kryeqytetit, të cilët po torturohen nga zhdukja e hapësirave të gjelbëra.
Shegushe Ligori deputete e PS-së tha se vendi ndodhet në një situatë të vështirë për shkak se vota u grabit më 28 qershor.
Ndërsa deputeti i PD-së, Viktor Gumi u ndal tek çështja e imunitetit të zyrtarëve dhe ftoi opozitën të reflektojë dhe t'i bashkohet nismës së depozituar nga maxhoranca prej disa vitesh në Kuvend.
"P/ligji i depozituar në Kuvend është një draft serioz dhe i vlerësuar për çështjen e imunitetit të parlamentarëve në fushën e veprave penale, por ende nuk kemi një përgjigje nga opozita nëse është dakord për ta miratuar dhe për të dhënë konsensus politik dhe juridik për të", tha Gumi. /a.s/