Prishtinë, 10 qershor, NOA – Data e mbledhjes së Lidhjes së Prizrenit është një datë që duhet të festohet nga Tirana dhe Prishtina. Lëvizja për Bashkim kërkon nga qeveria e Prishtinës dhe Kosovës që të shpallin festë zyrtare 10 Qershorin, duke e cilësuar këtë si datën më të rëndësishme për historinë e kombit.
Në një deklaratë për mediat, Lëvizja për Bashkim uron gjithë shqiptarët me rastin 132 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
“Është e padiskutueshme se 10 Qershori i vitit 1878 do të shënohet me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar, sepse pikërisht në këtë ditë do të sublimohen përpjekjet shekullore të popullit tonë për çlirim kombëtar dhe do të na e japin organizatën e parë politike e ushtarake mbarëkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër Lëvizja për Bashkim, shpreh habinë “që kjo datë të mos shënohet zyrtarisht edhe në Kosovë edhe në Republikën e Shqipërisë dhe kudo që jetojnë shqiptarët”.
LB vlerëson se është e nevojshme që kjo datë të festohet me dinjitet.
“Prandaj Lëvizja për Bashkim kërkon nga organet zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës që 10 Qershori të hyjë në kuadrin e festave zyrtare të të dy vendeve dhe të shënohet me dinjitet, ashtu siç e meriton kjo datë e shënuar e historisë”, thuhet në njoftimin e Lidhjes për Bashkim.
Lëvizja për Bashkim është një shoqatë me qendër në Prishtinë. Në pikën e parë të statutit të saj thuhet se “Lëvizja për Bashkim (LB) është organizatë politike, e cila përpiqet për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare”.
m.xh/NOA