Tiranë, 10 Qershor, NOA – Masakra e Tivarit nuk ju shpëton dot nga hetimi i masakrës së vjedhjeve në Shkodër dhe në gjithë Malësinë.
Kështu i është drejtuar sot kryeministrit berisha në seancën parlamentare deputetja socialiste Shegushe Ligori.
“Nuk nxitoni të hetoni zgjedhjet siç ju këshillojnë miqtë euroatlantikë dhe siç e do e mira e vendit, por bëni sikur doni të hetoni masakrën e Tivarit, një masakër të cilën Ligori e evidentoi si pretekstin e radhës së kryeministrit Berisha, një ngjarje e pa hetuar as në mandatin e parë dhe as në të dytin.
Duke e cilësuar si krizën më të madhe të demokracisë që prej rënies së institucioneve në vitin 1997, krizën e tanishme politike, deputetja Ligori përsëriti se zanafilla e saj është tek zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar.
Duke denoncuar politikën e Berishës si një politikë autoritare që kërkon të linçojë opozitën, deputetja socialiste, Shegushe Ligori vuri në dukje gjatë seancës së sotme se “është një punë pa shumë mend që qeveria, në vend që të qeverisë, të kritikojë opozitën, vetëm pse opozita ka evidentuar tërë kohën se “dielli nuk ndriçon për të gjithë”, por vetëm për ata që janë pjesë e klanit Berisha”.
Duke e cilësuar rishtas transparencën si zgjidhjen e të gjitha problemeve, deputetja Ligori vuri në lojë si “parodi gërshërësh”, inaugurimet që ndërmerr kryeministri anekënd vendit, me qëllimin kokëfortë për të shmangur vëmendjen publike nga problemi kryesor, kriza e qeverisjes.
mit/NOA