Mitrovice- Komiteti I Sigurise Ne Takim Te Jashtezakonshem Pas Sulmit Ndaj Pese Te Rinjve Shqiptare Ne Veri
I
PRISHTINE, 10 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Komiteti për Siguri i Komunës së Mitrovicës, nën drejtimin e Rizah Hazirit, nënkryetar i komunës, ka mbajtur mbrëmë në orën 22:30 një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është shqyrtuar incidenti i rëndë i shkaktuar nga ekstremistët serbë në lagjen veriore "Kodra e Minatorëve", ku janë sulmuar dhe lënduar rëndë pesë të rinj shqiptarë.
Zyra e shtypit e komunës bën të ditur se nënkryetari Haziri i ka njoftuar anëtarët e Komitetit, se rreth orës 19:30 minuta të ditës së mërkurë, në lagjen "Kodra e Minatorëve", një grup ekstremistësh serbë, prej rreth 16 vetash, të veshur me uniforma të zeza, disa prej tyre të maskuar, kanë sulmuar fizikisht të rinjtë shqiptarë që po luanin në nje fushë sportive.
Haziri ka thënë se lëndime të rënda me këtë rast kanë pësuar të rinjte Irfan Mustafë Cerani (1993), Bedri Xhemajl Cerani (1992), Ridvan Mustafë Cerani (1989), Valmir Faruk Kelnedi (1991) dhe Trim Fatmir Berisha (1990).
"Ne e dënojmë ashpër këtë incident të kriminelëve serbë, të paprovokuar nga askush, për të cilin mendojmë se është i paragjykuar dhe organizuar, me qëllim të destabilizmit të gjendjes dhe frikësimit të shqiptarëve, në mënyrë që edhe ata pak prej tyre që kanë mbetur në lagje, të largohen nga atje, gjë të cilën organet e sigurisë dhe të gjithë ne së bashku, nuk duhet ta lejojmë të ndodhë", ka thënë Haziri.
Sipas tij, pas incidentit, banorët shqiptarë janë tubuar në lagje dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre për sulmin e bandave kriminale serbe dhe mosmarrjes së masave të nevojshme ndaj tyre, duke kërkuar mbrojtje të sigurt. Ai ka thënë se ka informacione se kriminelët që e kanë shkaktuar incidentin i takojnë formacionit paramilitar serb "Obraz".
Sipas Hazirit, pas ngjarjes, drejtuesit e komunës kane njoftuar të gjitha organet kompetente dhe kërkojmë nga ato, përkatësisht nga policia e Kosovës, policia e EULEX-it dhe KFOR-i, që të ofrojnë mbrojtje dhe siguri maksimale për banorët shqiptarë, jo vetëm në Kodrën e Minatorëve, por edhe në lagjet tjera, në mënyrë që gjendja e tensionuar te mbahet nën kontroll.
Ai tha se ka informacione se policia ka arritur që te arrestoje pesë serbë të dyshuar për shkaktimin e incidentit. /a.ke/