English

Nëpunësit e MPPTT dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Tiranë, 10 Qershor, NOA – ndërsa në të gjithë vendin numërohen sipas statistikave plot 380 femijë që vuajnë nga sëmundja e talasemisë, dhe nevoja e domosdoshme për të paktën një herë në muaj një flakon gjak të dhuruar, fushatës ndërgjegjësuese për të dhuruar gjak i janë bashkuar sot edhe nëpunësit e ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

Sipas njoftimit të ministrisë, është viti i tretë që ministria e Punëve Publike dhe Transportit i bashkohet kësaj fushate të rëndësishme qytetare në emër të jetës së fëmijëve talasemikë të iniciuar nga Kryqi i Kuq shqiptar.

Kjo fushatë për të dhuruar gjak, nisi qysh në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, 1 qershor, dhe do të kulmojë me dhurimin e gjakut në ditën botërore të Dhuruesve të Gjakut, më 14 qershor, në dobi të të gjithë të sëmurëve që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme të gjakut, si talasemia.

Shumë shpejt kësaj fushate sensibilizuese do t’i bashkohen edhe nëpunës të institucioneve të tjera në varësi të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

Pak ditë më parë nëpunësit e kësaj ministrie iu bashkua një tjetër nisme të Kryqit të Kuq Shqiptar, në ndihmë të 100 fëmijëve jetimë.

mit/NOA

KOMENTE