English

Nesër Në Tkob, Homazhe Në Nderim Të Intelektualit Gjergj Zheji

TIRANË, 10 Qershor/ATSH/- Homazhet në nderim të shkrimtarit, përkthyesit, studiuesit së letërsisë dhe kulturës shqiptare, Gjergj Zheji, i cili u nda sot nga jeta në moshën 84 vjeçare, do të zhvillohen nesër në mesditë në Teatrin e Operas dhe Baletit, nën kujdesin e MTKRS-së. Në një deklaratë që ministria e Kulturës shpërndau sot për mediat thuhet: "Mësuam me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të mësuesit dhe pedagogut, shkrimtarit dhe përkthyesit, studiuesit të shquar të letërsisë e kulturës sonë kombëtare, njërit prej emrave madhorë të letrave bashkëkohore shqipe, njeriut të dashur, bashkëshortit, mikut të elitës intelektuale dhe lexuesve e studiuesve shqiptarë, Gjergj Zheji". Duke u ndarë prej nesh, Gjergj Zheji lë në kulturën shqiptare thesarë të çmuar, në të cilët skaliti emrin dhe veprën e vet të shumanshme. I jashtëzakonshëm rezulton sot kontributi tij si mësues i të gjitha niveleve, Tiranë, Krujë, Berat etj., si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si pedagog dhe rektor i Akedemisë së Arteve të Bukura, etj. Gjergj Zheji spikati me talentin e tij si krijues, duke i dhënë lexuesit shqiptar vepra që ruajnë ende vlera të rralla, që nga kryeveprat e letërsisë për fëmijë, prej tyre Pupagjeli do të mbetet ngaherë personazhi i dashur për fëmijë, deri te romanet aq popullorë, si "Muret e Krujës", "Rusha", etj. Madje edhe në krijimtarinë për fëmijë ai do të mbetet një emër i pazëvendësueshëm, por njëkohësisht ai kontribuoi në këtë fushë, duke sjellë në gjuhën shqipe kryevepra të kësaj letërsie si "Aventurat e Çipolinos", "Aventurat e Heklbert Finit", etj. Gjergj Zheji njihet dhe vlerësohet si kritik letrar dhe i kulturës shqipe, si ndër themeluesit e teorisë së metrikës shqipe, modernizuesi i lëndës së folkloristikës shqiptare, studiues i autorëve të Rilindjes Kombëtare, të atyre të periudhës së letërsisë shqipe midis dy Luftrave dhe asaj bashkëkohore etj. Por Gjergj Zheji dha kontribut të çmuar edhe në reformën shkollore dhe atë universitare të 20 viteve të fundit, në veçanti në unifikimin e programeve shkollore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjergj Zheji do të lexohet dhe rilexohet prej shqiptarëve anembanë edhe për kryeveprat e letërsisë botërore që shqipëroi mjeshtërisht në gjuhën shqipe, nga Platoni, tek Eugene Ionesco, nga Aleksandër Pushkini te Artur Schopenhaueri, nga Jean-Paul Sartre-i te Mark Twain-i, Ibsen, deri tek Shkrimet Filozofike të Benedetto Kroce-s pak vite para se ta ndahej nga ne. Gjergj Zheji shënoi një kontribut të dalluar qytetar edhe me përfshirjen në proceset demokratizuese dhe ato të hapjes europiane të kulturës shqiptare gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, duke dhënë një shembull të qytetarisë aktive në botën demokratike. Ndaj ne miqtë e tij, familja, kolegët, bota shqiptare akdemike e më gjerë, ndonëse nuk do të takohemi fizikisht me të paharruarin Gjergj Zheji, do ta kemi atë pranë nesh përgjithmonë, sepse emri dhe vepra e tij janë e do të jenë pranishme në shkolla, auditore e bibliotekat e shqiptarëve, duke vazhduar të komunikojë më miqtë, kolegët, studentët dhe lexuesin". Prof. Dr. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë Ismail Kadare Sabri Hamiti Ferdinand Xhaferaj, Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinsië dhe Sporteve Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës Suzana Turku Aurel Plasari Petrit Malaj Teodor Laço Jorgo Bulo Donika Omari Rifat Teqja Avni Mula Gaqo Çako Zhani Ciko Limoz Dizdari Thoma Gaqi Shaqir Rexhvelaj Mark Marku /k.sh/
KOMENTE