English

Nxitje E Bashkëpunimit Dypalësh Shqipëri-Rusi

- Një delegacion parlamentar shqiptar viziton Federatën Ruse - TIRANË, 10 Qershor/ATSH/.- Nxitja e bashkëpunimit dypalësh me Rusinë në fushat me interes reciprok ishte në qendër të vizitës që një delegacion i komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi në Moskë më 8-9 qershor, me ftese të kryetarit të komisionit për Politikën e Jashtme të Dumës ruse, Konstantin Kosacov. Sipas një njoftimi të sotëm për shtyp nga Kuvendi, gjatë qëndrimit në Moskë, delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryetari i komisionit të Jashtëm, Fatos Beja u takua në komisionin e Jashtëm të Dumës ruse me drejtues të tij, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, me zv/ministrin e Jashtëm, Vladimir Titov. Në këto takime palët parashtruan vullnetin e tyre politik për të nxitur bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ata ju referuan bashkëpunimit ndërparlamentar, si një nga drejtimet bazë të tij, ku mund të diskutohen çështje të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe, por dhe ato mbi zhvillimet ndërkombëtare. Gjatë takimit me zv.ministrin e Jashtëm rus, Titov u shkëmbyen mendime për përmirësimin e kuadrit ligjor në bashkëpunimin dypalësh, bashkërendimin e politikave dhe eksperiencave dypalëshe në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, trafiqeve të paligjshme etj, si dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën ekonomiko-tregtare, të arsimit, shkencës, kulturës, në kuadër të organizatave ndërkombëtare etj. Një temë e rëndësishme e bisedimeve ishin dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit, ato në Kosovë dhe qëndrimet e palëve, veçanërisht, për pavarësinë e Kosovës, për të cilën pala ruse vlerësoi rolin dhe kontributin konstruktiv të Shqipërisë për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit, paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit. Kryetari i komisionit të Jashtëm të Dumës ruse, Kosacov, gjatë takimit me parlamentarët shqiptarë tha se mirëpret vizitën zyrtare të kryetares së Kuvendit të Shqipërise, Jozefina Topalli, në Federatën Ruse. /a.s//a.ke/
KOMENTE