Pas Viteve '90, Ulje E Ndjeshme E Aborteve Në Vend
TIRANË, 10 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Legalizimi i abortit pas viteve '90, si dhe futja e metodave të ndryshme të planifikimit familjar, kanë ndikuar në uljen e ndjeshme të aborteve në vend.
Por, megjithatë, ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim për të ndryshuar mentalitetin e popullatës për përdorimin e metodave të planifikimit familjar. "Për të rikonstruar një ndërtesë është e lehtë, për të rikonstruktuar mentalitetin dhe vizionin për të ardhmen, kjo kërkon kohë fatkeqësisht", tha sot për ATSH-në mjeku gjinekolog, Halim Kosova.
"Unë e shoh të gjatë rrugën në këtë drejtim, por është e rëndësishme që ne të ecim përpara", tha ai.
E konsideruar deri pak kohë më parë si një metodë e planifikimit familjar, aborti ligjërisht nuk është një metodë e tillë në mjekësi. Ligji nr.8045, datë 7.12.1995, "Për ndërprerjen e shtatzanisë", përcakton qartë se ndërprerja e shtatëzanisë nuk do të konsiderohet në asnjë rast si metodë e planifikimit familjar.
Deri në vitet '90, në Shqipëri kishte një mortalitet shumë të lartë të gruas, si rezultat i aborteve të provokuara, për shkak të mungesës së ligjit për lirinë e abortit. Sipas mjekëve, "para viteve '90, ishin një apo dy vdekje në muaj nga abortet e provokuara nga vajzat e reja, apo gra më shumë fëmijë, me nivel ekonomik të ulët etj".
Ndërkohë, aktualisht në vend nuk ka vdekje nga abortet. Sipas të dhënave të INSTAT dhe Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2006, 2005, si dhe në 1997, ka patur nga një vdekje nga aborti. Ndërsa, në vitin 1996 ka patur 2 vdekje nga aborti, në 1995, 3 të tilla, në 1994, 6 vdekje dhe në vitin 1993, kur dhe nis dokumentimi, ka patur 3 vdekje nga aborti.
Me ndryshimet në vend, miratimin e ligjit mbi abortin dhe futjen e metodave të planifikimit familjar pas viteve '90 (Vendimi i Këshillit të Ministrave të vitit 1996), numri i ndërprerjeve të vullnetshme të shtatzanisë është ulur. Kështu, të dhënat nga Instituti i Statistikave dhe Ministria e Shëndetësisë tregojnë se në vitin 1994 janë kryer 31 292 aborte, ndërsa ky numër ka ardhur në zbritje gradualisht deri në 9030 në vitin 2007. Numri më i madh i aborteve që nga viti 1994 është kryer në vitin 1995, 32 268 të tilla.
Grupmosha, që drejtohet më shumë në spital për këtë ndërhyrje, është ajo 25-34 vjeç.
Abort në mjekësi quhet procedurë kirurgjike, ose mjekësore për të ndërprerë shtatzaninë, duke larguar fetusin dhe placentën prej uterusit, deri në javën e 22 të shtatzanisë. Ligji parashikon kryerjen e abortit deri në javën e 12, ndërsa deri në javën e 22 quhet abort në rast rreziku për jetën e nënës, apo të anomalive për jetën e fëmijës. Me një konsultë nga mjekët specialistë dhe një komision i përbërë prej 3 vetësh, vendoset ndërprerja e shtazanisë pas moshës 12 javë të shtatzanisë.
Zakonisht janë dy lloj abortesh; spontane dhe ato terapeutike, apo ndërpreje e vullnetshme e shtatzanisë. Abortet spontane në rreth 50 % ndodhin për shkaqe të panjohura, ndërsa 50 % ndodhin për raste që mund të jenë gjenetike, anomali të ndryshme, shkaqe të nënës, keqtrajtime të nënës, infeksione të ndryshme, etj.
Njohuritë e planifikimit familjar janë pothuajse gjithëpërfshirëse në Shqipëri, ku 99 përqind e femrave dhe pothuajse 100 përqind e meshkujve të moshës 15-49 vjeç dinë së paku një metodë të planifikimit familjar.
Në përgjithësi, përdorimi i metodave të planifikimit familjar ka rënë krahasuar me vitin 2002. Sipas të dhënave, ky numër është ulur nga 75 përqind e raportuar në studimin e Shëndetit Riprodhues, në 69 përqind që u raportua në studimin Demografik dhe Shëndetësor, por përqindja e grave aktualisht të martuara të moshës 15-44 vjeç, të cilat janë duke përdorur metoda modern, është rritur nga 8 në 11 përqind. /a.ke/