English

Përfitime jonormale në një mjerim social!

Në një shtet ku pjesa dërrmuese e qytetarëve janë kategori e prekur sociale nuk do të duhej që të zgjedhurit e popullit të kenë aq shumë privilegje dhe të cilat nuk i gëzon asnjë deputet i kuvendeve të shteteve të rajonit

Nga Behxhet Shala

Kryetar, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut

Përkundër reagimeve të shumta deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur që përmes Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve te sigurojnë përfitime te pashembullta për veten e tyre e që janë në shpërputhje të madhe me angazhimin e tyre.

Në një shtet ku pjesa dërrmuese e qytetarëve janë kategori e prekur sociale nuk do të duhej që të zgjedhurit e popullit të kenë aq shumë privilegje dhe të cilat nuk i gëzon asnjë deputet i kuvendeve të shteteve të rajonit. KMDLNj ka reaguar disa herë duke kundërshtuar fuqishëm pasurimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në kurriz të varfërimit të skajshëm të qytetarëve të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar papërgjegjshmëri dhe mungesë elementare të ndjeshmërisë për gjendjen ekonomiko-sociale të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë se seancat e Kuvendit ngjajnë me klasa të shkollave të Kosovës, ku nxënësit ikin nga ora kur të duan për shkak se frikësohen se do të marrin nota të dobëta. Apo, që angazhimin në Kuvend e konsiderojnë diçka fakultative e që nuk i obligon të marrin pjesë në seanca.

Mirëpo, për këtë “angazhim” paguhen më shumë se të gjitha kuvendet e rajonit. Madje, edhe kjo grykësi e pashembullt nuk u mjafton, andaj kanë siguruar privilegje gjithashtu edhe pas përfundimit të mandatit si deputet.

Neni 22 i Ligjit për deputet e njeh të drejtën e deputetëve për pensionim suplementar qysh në moshën 50-vjeçare, gjë që është krejtësisht e papranueshme nga aspekti njerëzor e moral i të drejtave të njeriut dhe pse jo, edhe ligjor. Ky nen është jashtëzakonisht diskriminues për të punësuarit në sektorët e tjerë, aq më parë kur deputeti, gjatë mandatit të tij, punën në Kuvend e ka vend pune me kohëzgjatje sa është mandati i tij plus një vit nëse në ndërkohë nuk gjenë ndonjë vend tjetër pune.

KMDLNj botërisht e denoncon këtë diskriminim dhe pyet, gjithashtu botërisht: nëse një deputet ka të drejtë për pension suplementar në moshën 50 vjeçare pse këtë të drejtë nuk mund ta ketë një polic, prokuror, gjykatës, hetues, mjek, inxhinier, punëtor i administratës, minator etj. Aq më parë që të gjithë këta bëjnë punë në të cilat u rrezikohet shëndeti, familja madje edhe jeta gjë që për deputetët kjo mundësi është më e vogël.!

Mbetet në vullnetin dhe mëshirën e Presidentit të Republikës së Kosovës nëse do ta dekretojë këtë ligj tmerrësisht diskriminues, i cili fundamentalisht ua shkel të drejtat e punëtorëve të tjerë! Këto privilegje të deputetëve janë krejtësisht të pamerituara dhe për pasojë do të kenë rënien e besimit në institucionet e Kosovës, legalizimin e korrupsionit përmes keqpërdorimit të buxhetit të Kosovës, rënien e numrit të votuesve në zgjedhjet e ardhshme dhe rritjen e pakënaqësive me kërcënim të eskalimit të situatës.

Miratimi i këtij ligji diskriminues hap rrugë dhe u jep plotësisht të drejtë protestave dhe demonstratave që kanë karakter social. KMDLNj shpreh pakënaqësinë e vet dhe brengoset që edhe opozita është solidarizuar dhe me asgjë nuk e ka kundërshtuar miratimin e këtij ligji.

KOMENTE