English

Prishtinë, ekspozita e parë ‘manipuluese’ nga Dren Maliqi

Prishtinë, 10 qershor, NOA - Nga data 10-20 qershor 2010, Hapësira Manipuluese TETRIS prezanton ekspozitën e parë personale të Dren Maliqit, të titulluar “M’vynë ndërrim radikal”.

Pothuajse çdo vit Dren Maliqi prodhon një punim të ri, i cili bazohet mbi ndonjë thënie ose mesazh: “M’vynë ndrrim radikal” (2003), “Shpresa”(2004), “Burda Allah yok!” (Këtu s’ka zot! 2005), “Mort”, (2005).

Këto punime të Maliqit në njëfarë forme përfaqësojnë një përmbledhje të disponimeve të tija shpirtërore brenda një viti të caktuar, disponime që gjithashtu e reflektojnë atmosferën dhe proceset nëpër të cilat kalon shoqëria në përgjithësi.

Me fjalë të tjera, Maliqi i nxjerr këto mesazhe si përshkruese të thelbit të pulsit të realitetit. Ato përzgjidhen me kujdes si përfaqësuese të mileut shoqëror dhe i hyjnë në funksion autorit për t’i harmonizuar fatet e tija personale me ato të përgjithshme.

Duke përmbledhur përvojat personale dhe të përgjithshme në një fjalë ose frazë, Maliqi përpiqet të ndërtojë funksionin gati të harruar të emërtimit dhe “branding-ut”.

Artisti u jep frazave kuptim si një demiurg. Duke folur nga perspektiva e “kumbarës” (emërtuesit) ai jo vetëm që u jep një emër realiteteve dhe ndodhive, por edhe kuptimëson përmbajtjet dhe domethëniet e tyre.

Më konkretisht, në punimin e tij “Hope” (Shpresa), për të cilin u shpërblye në vitin 2004 me çmimin më prestigjioz të artit në Kosovë “Muslim Mulliqi”, Dren Maliqi e reflekton sëmundjen e rëndë të babait të tij gjatë një viti të shënjuar nga një shpresë e zbehtë që mezi vërehej në horizont.

Maliqi e shkruan fjalën shpresë me shkronja të bardha mbi një mur të bardhë për të na rrëfyer se shpresa vdes e fundit dhe për të na ilustruar se vendi i tij Kosova, në dimension të përgjithshëm, frymonte në mes shpresës dhe mungesës së saj. “Shpresa” e Dren Maliqit, e shikuar nga pikëpamja e vijimësisë poetike të realiteteve, shënon vetëm njërin segment të lëvizjes së autorit drejt toneve pesimiste, një lëvizje që fillon me shprehjen e përkrahjes ndaj vetvetes (“M’vynë ndërrim radikal!”) dhe vazhdon me huazimin e fjalisë së famshme nga burgjet turke (“Këtu nuk ka zot!”) dhe hijes së përjetshme të vdekjes (“Mort”).

Natyrisht, të gjitha punimet e Maliqit janë në frymën e këtij opusi, duke përfshirë veprat e tija në mediumet tjera, që në fakt nuk janë aq vendosmërisht pesimiste. Në anën tjetër, mbetet e paqartë se a është “Morti” vepër e fundit e këtij cikli, apo ai do të vazhdojë me kërkimin e fjalëve të reja thelbësore, duke u dhënë kështu edhe viteve vijuese emrat e tyre “personal” dhe përgjithësues.

Dren Maliqi është një artist i lindur në Prishtinë, Kosovë. Maliqi ka lindur në vitin 1981 dhe ka studiuar në Fakultetin e Arteve Figurative të Universitetit të Prishtinës.

Ai jeton dhe punon në Prishtinë. Ka marrë pjesë në ekspozita që nga viti 2002. Në punimet e tija Maliqi përdor forma të ndryshme artistike: pikturë, fotografi, video dhe instalim.

m.s/NOA

KOMENTE