Tiranë, 10 qershor, NOA - Sindikata e minatorëve kundërshton projektligjin për trajtimin e veçantë të punonjësve që punojnë në profesione të vështira që i përkasin kategorisë së parë.
Kryetari i sindikatës, Fiqiri Xibri tha sot për mediat se ky projektligj lë jashtë tij dyfishin e minatorëve që kanë dalë nga reforma pas viteve ’90 dhe ata që punojnë ende në nëntokë.
Kreu i sindikatës ka përsëritur kërkesat e minatorëve, të cilat nuk janë përfshirë sipas tij në projektligjin e hartuar nga Ministria e Ekonomisë.
Nisma e re e mazhorancës u bë publike disa ditë më parë nga zëvendësministri i Energjetikës, Neritan Alibali, i cili tha se projektligji për trajtimin e veçantë përfshin 117 profesione të vështira.
Sipas Alibalit nga trajtimi do përfitojnë rreth 3 mijë persona të cilët nuk kanë mbushur ende moshën e pensionit, por kanë plotësuar 15 vitet e punës dhe kanë derdhur 30 vjet kontribute shoqërore.
Ky projektligj ka lënë pa trajtim naftëtarët pasi profesioni i tyre përfshihet në kategorinë e dytë të profesioneve të vështira, i cili ka dhe numrin më të madh të punonjësve.
b.a/NOA