English

QKR: Rritet me 28.4% numri i bizneseve, asnjë falimentim

Tiranë, 10 Qershor, NOA /Rajmonda Lajthia – Plot 8946 është numri i bizneseve të reja të regjistruara gjatë periudhës janar-maj 2010 dhe kjo shifër përkthehet në një rritje prej 28.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, na jep një tjetër tablo, përsa u përket bizneseve që janë çregjistruar, ku sipas tij, numri i tyre është ulur me 6.3%.

Ndërsa për bizneset që kanë falimentuar numri i tyre gjatë periudhës 3 shtator 2007 deri në maj 2010, është zero.

Sipas Kolës, rritja me rreth 30% e numrit të bizneseve të reja që janë krijuar në 5-mujorin e parë të vitit 2010 është një shenjë që tregon se ekonomia shqiptare nuk po bie, por po rritet.

“Nuk është pak që në një periudhë kur bota po kalon recesion ekonomik për shkak të krizës globale, Shqipëria, një vend i vogël dhe me një treg të vogël, ka një rritje prej 30 për qind të numrit të bizneseve të krijuar për herë të parë”, - tha Kola.

Më tej, ai shtoi se 95% e aplikimeve për ndryshim që miratohen në QKR janë aplikime për transferim aksionesh, zgjerim kapitali, etj, që tregon se biznesi ka një dinamikë. Konferenca e ditës së sotme e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit vjen pas akuzave që opozita ka bërë ndaj ekonomisë shqiptare, sipas të cilës keqqeverisja ka bërë që të thellohet kriza ekonomike.

r.l/n.e/NOA

KOMENTE