Rasmussen: Pavarësisht Kursimeve Nato Duhet Të Përshtatet Dhe Jo Të Ulë Vigjilencën
BRUKSEL, 10 qershor /ATSH-AFP/ - Në këto kohëra të vështira ekonomike, i takon NATO-s të përshtatet me zgjuarësi duke lehtësuar strukturat dhe anëtarët e saj për të mos zvogëluar buxhetet e saj ushtarake në dëm të sigurisë, u shpreh sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike.
"Thelbi i çështjes është si më poshtë: dihet se do të ketë më pak para për Mbrojtjen për një kohë të gjatë", deklaroi Anders Fogh Rasmussen për shtypin, në kuadrin e një mbledhjeje të ministrave të Mbrojtjes në selinë e NATO-s në Bruksel.
Megjithatë, "duke u përpjekur të bëjmë kursime, duhet të ruajmë aftësinë tonë për të penguar sulme kundër nesh", theksoi ai, në përfundim të një debati të parë mes aleatëve lidhur me pasojën e krizës ekonomike për sektorin e mbrojtjes, bëri të ditur Rasmussen.
"Kriza financiare ushtron një presion të madh në buxhetet e Mbrojtjes në të gjitha vendet e NATO-s", theksoi ai, duke konstatuar se "shumë prej tyre janë shprehur tashmë për zvogëlime, disa pre të cilave shumë të ashpra".
Sipas statistikave të publikuara sot nga NATO-ja, vetëm pesë nga 28 vende anëtare kanë respektuar në vitin 2009 pragun e gjykuar nga aleanca si minimumi prej 2 për qind të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për mbrojtjen: Shqipëria (2 për qind, me 23,5 miliardë lekë), Shtetet e Bashkuara (4 për qind, 574 miliardë dollarë), Franca, 2,1 për qind, 39 miliardë euro, Greqia 3,1 për qind, 7 miliardë euro) dhe Mbretëria e Bashkur (2,7 për qind, 37 miliardë stërlina).
"Kjo krizë mund të na motivojë të ndryshojmë në drejtimin pozitiv, të bëjmë atë që duhet dhe ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe së bashku", theksoi Rasmussen.
Në një situatë të tillë, sigurisht NATO-ja duhet të veprojë me sa më tepër efikasitet që të jetë e mundur", theksoi ai, duke bërë të ditur se po sot në mbrëmje do t'u praqesë aleatëve "disa propozime të guximshme për këtë qëllim".
Ministrat e Mbrojtjes pritet të shprehen gjatë darkës së sotme për një shkëmbim pikëpamjesh lidhur me atë që është rënë dakord të quhet "reforma" e NATO-s.
Sipas një zyrtari aleat, në një letër drejtuar Rasmussen në fund të prillit nëntë vende, Gjermania, Danimarka, Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Norvegjia, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Republika Çeke, kërkojnë një rishikim të gjerë të NATO-s që prek si selinë dhe agjencitë e saj edhe strukturën e saj të komandimit.
/I.Pu.