Ruli: Qeveria Do Të Mbështesë Zhvillimin Rural
- Zhvillon punimet në Tiranë Kongresi i 3-të i Agrobiznesit Shqiptar-
TIRANE, 10 Qershor /ATSH- E.Xhajanka/- Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, garantoi të enjten agrobiznesin dhe fermerët vendas, në Kongresin e 3-të të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), që u çel në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, se "qeveria do të mbështesë zhvillimin rural në vend, përmes politikave të zhvillimit dhe subvencionimit".
Ministri Ruli në fjalën e mbajtur me këtë rast theksoi se "qeveria do të adresojë çdo gjë për zhvillimin e qëndrueshëm rural të Shqipërisë". Ai vuri në dukje se për tre vjet rrjesht qeveria po mbështet me subvencione fermerët në rritjen e ekonomive bujqësore, ndërkohë që këtë vit përmes këtij programi, do të subvencionojë fondin e garancisë për kredi në sektorin rural.
Duke e vlerësuar sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, ministri Ruli shprehu bindjen se bujqësia në të ardhmen e afërt do të rrisë kontributin e saj në PPB të vendit.
Presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj, theksoi në raporttin e mbajtur në këtë kongres, se "mbrojtja e interesave të fermerëve dhe biznesit agropërpunues mbeten objektiva të misionit të KASH".
Kongresi i tretë i KASH mbahet në kuadër të 10 vjetorit të krijimit të këtij organizmi, i cili përmbledh 22 organizata në të gjithë vendin./s.s./