Shendeti I Nënës Dhe Fëmijës, Obsh Prezanton Projektin E Saj Në Qytetin E Shkodrës
SHKODËR, 10 Qershor/ATSH-G. Marku/- Një projekt i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe financuar nga Qeveria Spanjolle për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës, mblodhi sot në mjediset e "Grand Hotel Europa" në qytetin e Shkodrës mjekë dhe specialistë të mjekësisë nga rrethet e Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Tiranës, të cilët diskutuan për masat e nevojshme për përmirësimin e shëndetit të fëmijëve të porsalindur dhe familjes nëpërmjet punës specifike me individët.
Gazmend Bejtja dhe Nedina Ceka, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Eridona Rusi e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Shkodër, etj, në diskutimet e tyre u ndalën rreth zbatimit të këtij projekti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës, duke vënë në dukje nevojën e punës me individë në familje dhe komunitet për të ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit për keto probleme.
Lumturi Mërkuri, mjeke dhe specialiste e kësaj fushe pranë Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, në një prononcim për mediat, tha se qëllimi i këtij takimi është vlerësimi i nevojave për rrethin e Shkodrës, dhe më pas hartimi i një plani veprimi, i cili do të fillojë të zbatohet në këtë qytet. "Ajo çfarë është risi në këtë projekt është përfshirja e komunitetit që në fazën e parë të planifikimit të nevojave të tyre me qëllim përmirësimin e shëndetit të nënës dhe të fëmijës", tha Mërkuri./s.s./