Shqiptarët Do Të Lëvizin Pa Viza Në Hapësirën Shengen Brenda Këtij Viti
-Deklaroi ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, në një takim me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, në Itali-
TIRANË, 10 Qershor/ATSH/.- Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, në një takim që pati të mërkurën në Itali me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, shprehu bindjen se "qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen brenda këtij viti".
Zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme bëri të ditur sot se ministri i Brendshëm italian, duke vlerësuar hapat e mëdha të Shqipërisë në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave, rikonfirmoi mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë italiane për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti.
Nga ana e tij, ministri Basha e falenderoi ministrin Maroni, që së bashku me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE, morën në shqyrtim pa asnjë vonesë dhe mbështetën fuqimisht propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Ministri Basha e informoi homologun italian për një sërë masash që janë marrë dhe po ndërmerren nga qeveria shqiptare në kuadër të proceseve integruese në BE, siç janë miratimi i strategjisë për ripranimin e të riatdhesuarve si dhe ngritjen dhe funksionimin e njësisë për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.
Gjithashtu ministri Basha e njohu homologun e tij italian me rezultatet e arritura nga policia shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, parandalimin e kultivimit të kanabisit si dhe për funksionimin me sukses të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, u shpreh në takim se bashkëpunimi mes policive të të dy vendeve është tashmë në një nivel të shkëlqyer dhe se falë këtij bashkëpunimi nuk ka asnjë çështje problematike mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në këtë kontekst ministri Maroni premtoi se Ministria e Brendshme e Italisë do të japë ndihmesën e saj për trajnimin dhe shkëmbimin e përvojës për personelin policor shqiptar, që angazhohet për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale. /a.m/s.s./