Sport-Botëror/ Afrika E Jugut, Gati Për Çeljen E Botërorit Të 19-Të
TIRANË, 10 Qershor /ATSH - Gjergji Mima/ - Afrika e Jugut është gati për të pritur turneun më të rëndësishëm futbollistik, teksa nesër rreth orës 14:00 në stadiumin e Johanesburgut 'Soccer City', do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Botërorit të 19-të.
Çdo gjë duket gati në Johanesburg, njerëzit kanë ndërmarrë operacione pastrimi të qytetit, ndërsa Nelson Mandela ka konfirmuar prezencën e tij.
Festa në fakt ka nisur tashmë. Në qytetin e Kejp Taunit mijëra persona kanë dalë në rrugë për të shijuar një paradë shumëngjyrëshe, ndërsa kërcimet e kryera nga nxitëset e tifozëve, kanë treguar për atmosferën e jashtëzakonshme që mbizotëron në këtë vend 1një ditë para startit.
Edhe këtë herë "vuvuzela" ka qenë instrumenti kryesor i përdorur nga fansat. Bëhet fjalë për një bri plastik, i cili shkaktoi polemika të shumta pas Kupës së Konfederatave një vit më parë, por FIFA deklaroi se do ta lejonte atë në stadiume.
Megjithatë, pjesa më e çmendur e festës është zhvilluar në Johanesburg, aty ku nesër do të startojë Botërori. Njerëzit kanë dalë në rrugë kryesisht në mënyrë spontane, duke valëvitur flamujt e skuadrave pjesëmarrëse dhe duke iu rënë vuvuzelave shurdhuese. Ndërkohë nuk munguan edhe akrobacitë në ajër të avionëve, që kanë kryer testime për ceremoninë e hapjes.
Kampionati do të startojë në orën 16.00 me ndeshjen e parë, atë mes Afrikës së Jugut dhe Meksikës. Pritësit e turneut do të luajnë përpara tifozëve të tyre, në një atmosferë tejet elektrizuese në stadiumin e Johanesburgut. Tifozët kanë dy ditë që kanë nisur festën, por ajo do të kulmojë pikërisht me takimin e grupit A, ku ekipi i quajtur "Bafana Bafana" do të kërkojë të ngrejë në këmbë gjithë vendin. Afrika e Jugut është ende modeste në futboll, ndërsa kombëtarja bazohet në një mbrojtje të fortë dhe në cilësitë e disa futbollistëve që luajnë në kampionatet e rëndësishme.
Përballë Afrikës së Jugut do të jetë Meksika e Havier Agirre, një skuadër që është gjithnjë e vështirë për t'u mundur. Meksikanët janë një formacion solid dhe e treguan këtë në fitoren 2-1 ndaj Italisë në Bruksel një javë më parë. Gulielmo Franko është sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, ndërkohë që në mbrojtje do të jetë edhe lojtari i Barcelonës Rafa Markez, që është edhe kapiteni i skuadrës.
Veç kësaj, edhe eksperienca qëndron në favor të Meksikës me 13 pjesëmarrje në Botëror kundrejt vetëm 2 të Afrikës së Jugut.
Ndeshja e parë e këtij Botërori do të ndiqet edhe nga një numër i madh personalitetesh që do të jenë aty për ceremoninë e hapjes. Ajo do të gjykohet nga arbitri nga Uzbekistani, Ravshan Irmatov./s.s./