Sport- Shqipëria Me 3 Peshëngritës Në Botërorin E Moshave Ne Sofje
TIRANË, 10 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Peshëngritja shqiptare do të përfaqësohet me 3 peshëngritës në Kampionatin Botëror të moshave që do të zhvillohet në datat 11-20 qershor në Sofje të Bullgarisë.
Tre peshëngritësit shqiptarë nga qyteti i Elbasanit janë, Briken Calja në peshën 69 kg, Daniel Godelli po në këtë peshë dhe Hysen Pulaku në peshën 77 kg.
Gjatë kësaj jave, stërvitja e tyre është ndjekur dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, të cilët kanë vlerësuar parapërgatitjen duke shpresuar në rezultate pozitive.
"Kemi shpresa për këtë Kampionat Botëror", u shpreh për ATSH-në, sekretari i FSHP-së, Ilir Kraja, i cili shtoi se, "ekipi pretendon të marrë të paktën 3 medalje në këtë aktivitet".
Tre sportistët shqiptarë janë nisur sot drejt Sofjes, ndërkohë që pjesëmarrës në këtë Botëror janë 187 shtete. Sipas Krajës, "drejtuesit e Federatës kanë ofruar mbështetjen e plotë ndaj peshëngritësve, me qëllim arritjen e një përfaqësimi të denjë në këtë aktivitet mjaft të rëndësishëm". /a.ke/