Sport-Speciale/ "Afrika E Jugut 2010", Botërori I Fituesve
- Në kampionatin botëror 'Afrika e Jugut 2010'janë pjesëmarrës të gjithë fituesit e Botërorëve në vite -
TIRANË, 10 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Botërori Afrika e Jugut 2010, nisur edhe nga pjesëmarrëset, do të jetë botërori më ambicioz i të gjitha kohërave, pasi do të marrin pjesë të gjitha skuadrat që e kanë fituar në tërësi 19 herë titullin.
Çdokush do ta ketë të vështirë që të kujtojë momentet më vendimtare të eleminatoreve të këtij botërori, por mund të përmenden dy prej tyre: duke filluar që nga dora e Henry-së që ndihmoi Francën të kualifikohej për më tej dhe deri tek barazimi (1-1) i Uruguajit ndaj Kosta Rikës.
Për herë të nëntë, në 19 edicionet e zhvilluara deri tani, në një botëror do të marrin pjesë të gjitha ato skuadra që kanë ngritur, qoftë edhe për një herë Kupën e Botës. Deri më tani, janë plot shtatë skuadra që kanë fituar Kupën e Botës (Brazili 5 herë; Italia 4 herë; Gjermania 3 herë; Uruguaji 2 herë; Argjentina 2 herë; Anglia 1 herë dhe Franca 1 herë), fenomen ky që nuk ndodhte që prej botërorit që u zhvillua në Korenë e Jugut dhe Japoni në vitin 2002.
Të shohësh në një botëror gjithë ekipet që e kanë fituar atë, është eveniment shumë i rrallë, pasi në vitet e fundit shumë kombëtare të reja po arrijnë të ngrejnë në qiell kupën më të rëndësishme në botë (Franca që në 1998 ngriti për herë të parë Kupën e Botës si dhe Argjentina që e mori për herë të parë këtë kupë në 1978). Pas Botërorit të 2002, edicionet ku kanë marrë pjesë fituesit janë: 1950, 1954, 1962, 1966, 1970, 1986 dhe 1990.
Statistikat thonë se kur në një Botëror marrin pjesë të gjitha ato skuadra që e kanë fituar këtë kompeticion, atëherë për Italinë, Kupa e Botës kthehet në një "mollë të ndaluar". Përfaqësuesja italiane të 4 titujt botërorë i ka fituar në botërorët ku nuk kanë qenë të pranishme të gjitha ekipet fituese, ndërkohë që Brazili është kombëtarja që tri prej pesë Kupave të Botës i ka ngritur kur të gjithë rivalët (ekipet që e kanë fituar këtë kompeticion) kanë marrë pjesë në botëror.
Prania e Zelandës së Re dhe e Australisë (e atashuar pranë Konfederatës Aziatike) ka bërë të mundur që në këtë Botëror të jenë të përfaqësuara të 5 kontinentet, ashtu siç ka ndodhur në Botërorin që u zhvillua në Spanjë (1982) dhe në Gjermani (2006).
Në botërorin që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut ekipi kombëtar i Sllovakisë do të jetë skuadra e vetme debutuese. Vetëm në Botërorin e 1950 kishte ndodhur që ekip debutues të ishte një i vetëm, rekord negativ ky i Botërorit 2010.
Ajo çka e rëndon më shumë këtë statistikë është numri i pjesëmarrësve në dy botërorët e përmendur: në Brazil 1950 merrnin pjesë 13 kombëtare, ndërsa tani janë 32 të tilla; në botërorin që u zhvillua në Gjermani më 2006, ekipet debutuese ishin plot 6 (Ukraina, Angola, Bregu i Fildishtë, Togo, Gana dhe Trinidad & Tabako).
Nga 32 skuadrat që do të marrin pjesë në botërorin që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut më 2010, prej tyre janë 19 që kanë qenë të pranishme edhe në botërorin e para katër viteve "Gjermani 2006?. Kështu në Botërorin 2010, rreth 41% e skuadrave (13 ekipe) pjesëmarrëse do të jenë "të reja".
Një raport i tillë është parë edhe në botërorët e tjerë. Nga Botërori "Kore e Jugut-Japoni 2002? e deri në atë "Gjermani 2006?, ndër 32 pjesëmarrëset vetëm 13 tyre ishin "të reja", pra që nuk kishin marrë pjesë në botërorin që u zhvillua në Azi, ndërsa nga Botërori "Francë '98? e deri tek ai i Kore e Jugut-Japoni 2002, 12 kombëtare nuk kanë marrë pjesë në atë të 2002 për t'u kualifikuar në atë të 4 viteve më pas, zhvilluar në Gjermani.
Përveç Sllovakisë (debutuese), pas një "pushimi" të gjatë në Afrikën e Jugut, do të paraqitet ekipi i Hondurasit dhe i Zelandës së Re (mungonin në një botëror që nga ai që u bë në 1982 në Spanjë), Algjeria (pjesëmarrjen e fundit e kishte bërë në Meksikë më 1986) dhe Greqia (u kualifikua për herë të parë në fazën finale të një botërori në atë të "SHBA '94?).
Në klasifikimin e kombëtareve që kanë marrë pjesë më shumë herë në botërorë, mbetet ekipi i Brazilit. Kombëtarja "e artë" ndodhet në vendin e parë me 19 herë dhe duke qenë se në 2014 do të jetë vendi organizator i botërorit, mund të thuhet se ky numër do të shkojë në 20.
Më pas, në vendin e dytë vijnë kombëtaret e Gjermanisë dhe Italisë me 17 herë dhe vendin e tretë e të katërt, Argjentina (15 herë) dhe Meksika (14 herë). Ekipet që nuk mund të rrisin numrin e pranive në Botërorin e Afrikës së Jugut, janë Suedia dhe Belgjika (të dyja kanë marrë pjesë nga 11 herë në një kompeticion të tillë). ./a.ke/