English

Tiranë: Ndërron Jetë Gjergj Zheji, Personalitet I Kulturës Shqiptare

TIRANË, 9 Qershor/ATSH/- Ka ndërruar jetë sot në mesditë në moshën 84 vjeçare Gjergj Zheji, shkrimtari, përkthyesi, studiuesi i letërsisë dhe kulturës shqiptare. "Gjergj Zheji me veprën e tij ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare, dhe padyshim edhe të shkollës shqipe, sepse është autor tekstesh dhe ka qenë rektor i Akademisë së Arteve. Si i tillë ka dhënë ndihmesën e tij dhe në fushën e arsimit", tha në një prononcim për ATSH-në, akademiku Jorgo Bulo, i cili ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me profesor Zhejin. Një personalitet i kulturës shqiptare që ka dhënë kontribut në disa fusha, Gjergj Zheji ka qenë i pari studiues që ka realizuar një mongrafi për jetën e Andon Zako Cajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike. "Gjergj Zheji ka dhënë kontribut në fushën e kritikës shqiptare në një kohë kur kritika ishte e kufizuar. Shkrimet kritike të Gjergjit dalloheshin për përpjekjet për të emancipuar dhe për t'u shpëtuar skemave dhe diktatit ideologjik të kohës", tha akademiku Bulo. Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj. Ai ka dhënë një kontribut të madh në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë, deri te Leximi Letrar. /k.sh/
KOMENTE