Trashëgimia Kulturore Shqiptare Tërheq Arkeologët Italianë
- Arkeologu italian, prof. Sandro Caranzano, flet në një intervistë për ATSH-në-
TIRANË, 10 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Një grup italianësh të apasionuar pas arkeologjisë prej 8 ditësh gjenden në Shqipëri për të evidentuar dhe për të eksploruar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.
Arkeologu dhe profesori i arkeologjisë në Universitetin e Torinos, (Itali), Sandro Caranzano, tha në një intervistë për ATSH-në se "ky udhëtim nuk më është rezervuar vetëm mua, por jemi 25 italianë të apasionuar pas arkeologjisë, që kemi ardhur për të njohur vlerat e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë".
"Kjo ide për të vizituar Shqipërinë lindi menjeherë pas një konference të shkëlqyer, që u zhvillua në Itali nga profesor Neritan Ceka, ku lindi ideja për njohjen e historisë së Shqipërisë", thotë Caranzano.
Duke u ndalur te ky tur, arkeologu Sandro Caranzano tha se "kemi planifikuar një itinerar me 8 ditë që është i nevojshëm dhe që do të na shërbejë të njihemi me vlerat trashëgimore dhe kulturore shqiptare, por edhe me vende të dëgjuara si Apollonia, Butrinti, etj".
"Itinerari ynë filloi nga qyteti i Durrësit, që është si urë kaluese në botën antike, vizituam Apolloninë, Butrintin, Orikumin, që ishte i mrekullueshëm, Gjirokastrën, Beratin, etj", tha Caranzano.
"Ajo që na mahniti gjithashtu ishte Selca, në Pogradec, e cila na kënaqi jo vetëm me bukuritë, por edhe me raportin që kishte me Maqedoninë, sepse Shqipëria është në kontakt me ambientin grek dhe atë maqedonas. Ne kemi vizituar gjithashtu Krujën, Tiranën, Muzeun Historik Kombëtar, sepse këtu mund të njohim vlerat kulturore shqiptare", tha prof. Caranzano.
Ai vlerësoi nga ky tur Durrësin, duke u shprehur se "Durrësin e shoh të mahnitshëm, sepse ka formën e muzeut të antikitetit".
Prof Caranzano vuri në dukje raportet e kulturës italiane me atë shqiptare. "Raportet mes Shqipërisë dhe Italisë janë historike, kjo edhe për shkak të afërsisë gjeografike, luftërat e mëdha që nga Kleopatra, luftra ndërmjet Çezarit, Pompeut kanë kaluar nëpërmjet Shqipërisë".
Prof. Sandro Carnzano shtoi se "ky projekt i nisur këtë vit do të vazhdojë të paktën një herë në vit. Ne do të realizojmë këto udhëtime studimi në mënyrë që krijojmë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë", tha ai
Mbikëqyrësja e arkeologjisë së rajaonit të Lazios, Marina Sapelli Ragni, tha se "raportet kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të hershme. Kujtoj këtu vitet '80 kur u rikthye në Shqipëri statuja e Deas, që ishte sjellë në Itali në periudhën fashiste".
Ajo nënvizoi faktin se "Ministria italiane e Kulturës duhet të angazhohet në ndihmë të arkeologjisë shqiptare, siç është arkeologjia nënujore, pasi në Adriatik ka shumë probleme, dhe bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm".
Sipas saj , "mund të bëhen kërkime nënujore të zonave ku ndodhen objekte te mbytura, të cilat na përkasin të gjithëve"./s.s./