English

U dënua në Itali me 20 vite burg për trafik droge, i kërkuari kapet në një lokal të Durrësit

Durrës, 10 Qershor, NOA – Rezultonte si i shumëkërkuar nga forcat e policisë pasi qe dënuar me 20 vjet burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e më në fund, ka mundur të vihet në pranga prej tyre.

Fjala është për 34-vjeçarin Ilirian Dhima, lindur e banues në Durrës, ku siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të këtij qyteti, gjykata e Leçes në Itali e ka dënuar në vitin 2007 me 20 vjet burg për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

E paskëtaj, gjykata e Durrësit kishte lëshuar ndaj tij një masë sigurie ”Arrest ne burg” ne mungesë të tij, për efekt të njohjes së vendimit të Gjykatës së Apelit të Leçes në Itali.

Bëhet me dijeni se gjatë periudhës që ka qenë në kërkim, Dhima u është shmangur hetimit duke ndryshuar vazhdimisht identitetin e tij e duke u strehuar në banesa të ndryshme.

Por pas punës së bërë nga struktura për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, u arrit të përcaktohet identiteti i vërtetë si dhe të bëhet e mundur kapja e shtetasit në fjalë në një lokal në qytetin e Durrësit, ndërsa materialet proceduriale iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

n.e/NOA

KOMENTE