Prishtinë, 10 Qershor, NOA - Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, ambasadori Volfgang Petrich, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një qeveri të pastër dhe për politikanë që besojnë në rend dhe ligj, që sipas tij do të bënte që BE-ja dhe EULEX-i të ndihmojnë më shumë.
Në një intervistë me BBC-në, zoti Petrich u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që ta luftojnë korrupsionin brenda vetes dhe gjithashtu elitës politike në Kosovë që të marrë barrën e luftës ndaj kësaj dukurie.
Ai tha se sa më pozitiv që të jetë imazhi i vendit aq më shumë rriten gjasat që ai të njihet ndërkombëtarisht në botë.
Duke folur për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Petrich tha se të dyja palët duhet të lëvizin për të gjetur një zgjidhje.
Sipas tij të dyja palët duhet të gjejnë një kompromis dhe atë t’ia propozojnë BE-së nëse duan t’i bashkohen asaj.
Z. Petrich, vendimi i GJND-së a është një lloj parakushti për hapjen e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit?
Nëse është parakusht ose jo unë nuk e di por, nëse dikush mendon dhe beson se kjo do të mund të nxiste bisedimet atëherë le të bëhet ashtu. Vendimi pritet të merret por nëse ai do të mund të ndihmojë më shumë që të kuptohet më mirë problemi dhe për zgjidhjen, unë nuk e di. Ky është një vendim ligjor dhe është e qartë se do të jap një kontribut por nuk duhet të mbështetemi vetëm në këtë kur kërkojmë zgjidhje politike.
Por nëse vendimi është i paqartë, meqë shumëkush pret që ai të mos mbajë anën e askujt, a mund të ashpërsojë ai qëndrimet e palëve?
Me shpresë jo. Unë shpresoj dhe pres që të dyja palët ta kuptojnë se megjithëse ekspertët ligjor mund të bëjnë shumë, megjithatë jeta e përditshme duhet të ndërtohet në nivelin e kontakteve politike. Mendoj se kjo është pjesa më e rëndësishme e kësaj. Duhet një lëvizje e të dyja palëve për të gjetur zgjidhje, ose të paktën të fillojnë të gjejnë një zgjidhje. Deri tani nuk ka patur shumë përpjekje për të zgjidhur cështjet, që nuk mund t’u lihen vetëm ndërkombëtarëve dhe institucioneve ndërkombëtare.
Por a mund të themi se këto bisedime, që pritet të zhvillohen, do të përfshijnë çështje politike apo do të shtrijnë gamën e çështjeve?
Duhet të merret në të dyja aspektet. Në fund të fundit këto janë bisedime të një rëndësie të lartë për jetën e përditshme; se si të jetojnë së bashku, si fqinj, pavarësisht nëse do të jetë ky një kufi mes tyre i njohur ndërkombëtarisht apo jo. Ne në Evropë kemi mësuar në vitet e kaluara që të merremi me këto cështje. Ka ende kufi të njohur ndërkombëtarisht por në anën tjetër nuk ka probleme që të kalohen ata kufij. Ky do të duhej të ishte qëllimi kryesor i këtyre bisedimeve; si të lehtësohet jeta e njerëze në rajon, si të bëhet më mirë për ata që janë drejtpërdrejt të prekur si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.
Kjo nënkupton se marrëdhëniet ndërfqinjësore do të jenë parakusht për hyrje në BE, në kuptimin se vetë BE-ja nuk do t’i pranojë shtetet me probleme midis tyre.
E mbështes plotësisht këtë që e thoni. Ne në BE kemi mësuar se cka do të thotë kur shtetet anëtare, i bashkohen asaj pa e zgjidhur cështjet bilaterale. Qiproja është shembulli konkret. Qipro është anëtare e BE-së por problemi brenda vendit nuk ëhstë zgjidhur dhe Qiproja është ende një vend i ndarë. Prandaj u takon të dyja palëve, Prishtinës dhe Beogradit, që të gjejnë një kompromis dhe t’ia propozojnë BE-së nëse të dyjat duan t’i bashkohen asaj. Dhe të dyja pjesët e entitetit në rajon, kur të hyjnë në BE do të ulen në një tavolinë dhe duhet të bisedojnë me njëra tjetrën. Prandaj ato duhet të fillojnë të praktikojnë të flasin me njëra tjetrën, menjëherë, për të zgjidhur çështjet e hapura.
Ambasador, por para se të ulet të bisedojë Prishtina duket se ka edhe çështje të tjera për të zgjidhur, në këtë rrafsh është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Misioni evropian për sundimin e ligjit e ka filluar këtë luftë. Si i shihni sot zhvillimet politike në Kosovë?
Unë këtë e shoh si një çështje të gjerë. Nuk besoj se ky është një kusht për të hyrë në bisedime, sepse korrupsioni është një çështje e përgjithshme gjithandej në rajon. Asnjë vend, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së, nuk është plotësisht i pastër nga korrupsioni. Por ne duhet të forcojmë veten që të luftojmë strukturat e korruptuara, në cilindo shtet, cilëndo qeveri dhe shoqëri. Në bazë të dëshmive është e qartë se ka një nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe kjo duhet të luftohet në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ata duhet ta kuptojnë se pa luftimin e korrupsionit nuk do të mund të ndërtojnë një shtet të suksesshëm me qëllim që të konkurrojë në BE. Unë tani jam ambasador në OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) në Paris, dhe këtu lufta kundër korrupsionit, kundër mit-marrjes siç e quajmë ne, është një prej çështjeve më të rëndësishme. Dhe vendet anëtare të OECD-së, që janë shtetet më të industrializuara, e kanë kuptuar disa vjet më parë se pa luftimin e korrupsionit nuk do të ketë sukses në zgjidhjen e çështjeve të tjera, qofshin ato ekonomike, sociale apo politike.
Në Kosovë, EULEX-i ka marrë përsipër këtë luftë. Ku i shihni institucionet e Kosovës në këtë mes?
Ky është një apel për institucionet e Kosovës, që në interesin e tyre më të mirë, duhet ta luftojnë korrupsionin brenda institucioneve të veta. Është një ndihmë nga jashtë kur EULEX-i e bën këtë, por EULEX-i është zgjidhja e fundit. I takon elitës politike në Kosovë, shoqërisë në Kosovë, mediave në Kosovë, që të sulmojnë korrupsionin kudo qoftë ai. Kjo sepse ai është një kancer në trupin e cilitdo shtet dhe shoqëri.
Por a nuk është kjo pak punë më e rëndë për institucionet e Kosovës dhe pak më e lehtë për EULEX-in?
Mund të jetë më e lehtë nga jashtë që të identifikohet korrupsioni. Por, për ta luftuar dhe mundur korrupsionin ka nevojë për mbështetjen e njerëzve që janë drejtpërdrejtë të prekur nga ai. Ju keni nevojë për një qeveri të pastër, keni nevojë për politikanë që, pa ndonjë dyshim, besojnë vërtetë në rend dhe ligj dhe unë besoj se kur ta keni një qeveri të këtillë dhe politikanë të këtillë atëherë BE-ja dhe EULEX-i mund të ndihmojnë shumë. Por ju keni nevojë dhe unë shpresoj se publiku në Kosovë do të marr nismën e EULEX-it si një thirrje të sinqertë për të filluar zgjidhjen e kësaj çështjeje.
A është korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë, një pengesë për vendin që të ecë jo vetëm drejt integrimeve evropiane por edhe njohjeve të mëtejme nga vendet e tjera të botës?
Sa më pozitiv që të jetë imazhi i vendit, aq më shumë rriten gjasat që ai të njihet ndërkombëtarisht në botë. Kjo në veçanti për një shtet si Kosova, që deri tani nuk është njohur universalisht, do të ndihmonte përfundimisht që të avancojë kauzën e njohjes së sovranitetit dhe atë ndërkombëtare.
BBC