Zgjedhjet Për Këshillin Kombëtar Të Shqiptarëve Në Serbi, Dëshmi E Maturisë Politike Dhe E Përgjegjshmërisë Qytetare
- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përshëndet përfundimin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Serbi-
TIRANE, 10 Qershor/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përshëndeti sot zhvillimin e qetë dhe konform standardeve të njohura të procesit të votimit për Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Serbi.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se me këtë rast, zoti Meta përshëndeti përkushtimin dhe angazhimin e subjekteve politike shqiptare dhe të të gjithë votuesve shqiptarë, për kurorëzimin e këtij procesi, "dëshmi kjo e maturisë politike, përgjegjshmërisë qytetare dhe i kapacitetit të tyre demokratik".
Shefi i diplomacisë shqiptare shprehU bindjen se "konstituimi sa më shpejt i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Serbi, në respekt të vullnetit të shprehur të qytetarëve, do t'i shërbejë garantimit në rrugë institucionale të të drejtave themelore të shqiptarëve".
Në këtë kontekst, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, rikonfirmon angazhimin dhe vendosmërinë e Qeverisë së Shqipërisë në mbështetje të kërkesave të ligjshme të shqiptarëve në Serbi./s.s./