English

Zhdukja e 6-vjeçares te Krimet e Rënda, prokurorët mbërrijnë në Kukës

Kukës, 10 Qershor, NOA – Zhdukja e vajzës 6-vjeçare, Belona Mata, nga Zapodi i Kukësit, duket se po merr përmasa të mëdha, derisa ajo i ka kaluar tashmë si çështje e veçantë edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Pas angazhimit të forcave policore vendase, më tej edhe atyre të Kosovës, madje edhe autoriteteve italiane për ta ndjekur dhe dhënë kontributin e tyre në zbardhjen e kësaj ngjarje, një grup i prokurorëve të Krimeve të Rënda ka mbërritur sot në Kukës për të bërë shqyrtimin e situatës.

Siç bëhet me dijeni paraprakisht, këta ekspertë hetimorë do të bëjnë një detajim të veçantë të të gjithë elementëve ekzistues mbi zhdukjen e vajzës 6-vjeçare, për të zbuluar më pas pistat e mundshme mbi të cilat ajo mund të trajtohet.

Një gjë e tillë bëhet pasi që nga data 21 Maj kur vajza ka rezultuar e zhdukur dhe deri më sot, pra gati 3 javë pas, ende nuk rezulton asnjë e dhënë mbi të cilën ekipet mund të bazohen për gjetjen e saj.

Në këtë mënyrë, ka një plan të ri polici-prokurori për zbardhjen me çdo kusht të kësaj zhdukje misterioze.

Ndërkaq, zhdukja e vogëlushes Belona Mata, nga Zapodi i Kukësit, u kthye edhe në një debat politik, ku përfaqësuesi i opozitës, Asllan Dogjani, akuzoi përmes një deklarate të posaçme për shtyp, strukturat e policisë si defiçente në zbardhjen e kësaj ngjarje.

Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga mazhoranca, sipas të cilës, ngjarja po trajtohet me kujdesin dhe ndjeshmërinë maksimale të mundshme.

n.e/NOA

KOMENTE