Uashington, 11 Qershor, NOA - Që në kohën e Bushit të dyshuarit për terrorizëm i detyronin të flisnin me metoda brutale marrjesh në pyetje, kjo është e njohur. Gjithashtu e njohur është që në këto marrje në pyetje kanë qenë të pranishëm edhe mjekë.
Ish-qeveria Bush e përdorte mbështetjen e mjekëve si dëshmi, për të treguar se të burgosurit nuk torturoheshin, por vetëm merreshin në pyetje "me vrazhdësi", nën mbikqyrjen e mjekëve.
Organizata "Mjekët për të drejtat e njeriut" megjithatë thotë se prania e mjekëve i ka shërbyer vetëm "përpunimit" të metodave të torturave.
Nathaniel Raymond, bën pjesë në hartuesit e raportit të ri dhe ai preferon të flasë me fjalë të qarta.
"Ne kemi dëshmi se me të burgosurit në burgjet e CIA-s janë kryer me sa duket eksperimente ilegale”.
Këto janë kritika të rënda, sepse që prej Luftës së Dytë Botërore eksperimentet me të burgosur pa aprovimin e tyre, janë të ndaluara. Ndalimi bazohet tek Konventa e Gjenevës dhe tek Kodi i Nyrnbergut, i cili përcakton qartë të mos kryhen eksperimente me njerëz. Por pikërisht për të tilla akuzon organizata e të drejtave të njeriut në SHBA, mjekët që kanë qenë në shërbim të CIA-s, në marrjet në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm. Dhe kjo në kohën e qeverisjes së presidentit Bush.
Mjekët kanë mbajtur shënime të sakta në metodat e ndryshme të marrjes në pyetje, thotë psikologu Stephen Soldz, një bashkë-autor i raportit: "Ata kanë mbledhur të dhëna, por jo në të mirë të individit, por për të ndryshuar në përgjithësi metodat e marrjes në pyetje dhe ndoshta edhe për t'u siguruar juridikisht".
Për dy vjet me radhë autorët mblodhën të dhëna për raportin e tyre dhe për këtë ata u mbështetën në vlerësime të dokumentave të qeverisë dhe të autoriteteve të epokës së Bushit. CIA i ka pas udhëzuar mjekët, që gjatë të ashtuquajturit "Waterboarding" - të mbytjes së simuluar - të mbajnë shënime të hollësishme: sa ujë u përdor, sa ujë u derdh kot, si hidhej uji në gojën dhe hundën e të burgosurve, cila ishte përshtypja që krijohej etj. Në fund mjekët bënin "propozime përmirësimi". Për shembull që parawëaterboarding i burgosuri të hante vetëm ushqime të lëngshme, në mënyrë që po t'i duhej të villte, të mos mbytej me të vjellat e tij. Sepse të burgosurit nuk duhej të vdisnin.
Në një pozicionim të saj, CIA e përcaktoi raportin si "thjesht të gabuar". Eksperimente me të burgosurit nuk janë bërë kurrë, u tha. Dhe metodat e marrjes në pyetje të CIA-s kanë qenë kontrolluar disa herë nga qeveria e SHBA.
DVelle