English

Arsimi, Përparësi E Qeverisë

- Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e rikonstruksionit të shkollës pedagogjike në Korçë - KORÇË, 11 Qershor/ATSH- Flora Nikolla/- Kryeministri Sali Berisha rikonfimoi të premten vëmendjen e qeverisë që ai drejton ndaj arsimit, një përparësi që e ka pasur edhe gjatë qeverisjes së mëparshme. I pranishëm në përurimin e rikonstruksionit të shkollës pedagogjike "Fan Stilian Noli" në qytetin e Korçës, në juglindje të vendit, ku prej disa kohësh është futur dhe dega e teknologjisë së informimit dhe komunikimit, kreu i qeverisë garantoi dhe një herë për përparësinë që do t'i japë zhvillimit të arsimit të mesëm të përgjithshëm, profesional dhe arsimit të lartë, në vitet në vazhdim. "Korça është qyteti që ka përqindjen më të lartë të nxënësve me lëndë profesionale dhe këtë uroj që ta kenë si prioritet dhe shkollat në rrethe të tjera të vendit", tha Kryeministri Berisha, i cili në këtë vizitë në qytetin e Korçës shoqërohej nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, deputetët e zonës Edmond Spaho dhe Fatbardh Kadilli. Kryeministri garantoi se në vitet në vazhdim çdo shkollë do të jetë e pajisur me kompjuter, por siç iu drejtua ai nxënësve dhe trupit pedagogjik të shkollës "Fan Stilian Noli", "pa shkollën tuaj këto projekte nuk do të mund të konsolidoheshin". "Një nga shtyllat kryesore të reformit të Shqipërisë jeni ju", u tha Kryeministri nxënësve të kësaj shkolle, duke kujtuar se gjatë viteve të fundit janë ndërtuar rrreth 1100 shkolla të reja. "Do të rikonstruktohen të gjitha shkollat ekzistuese, ndërkohë që interneti aktualisht është shtrire në të gjitha shkollat e vendit", tha Berisha, duke nënvizuar se "nuk do të jetë e largët dita kur secili nga ju do të ketë kompjuterin e tij në shtëpi. Kreu i qeverisë garantoi vemendjen e qeverisë edhe ndaj mësuesve pagat e të cilëve janë dyfishuar gjatë viteve të fundit, por sic u shprej ai " rritja e rrogës do të mbetet përparësi edhe në të ardhmen". Duke folur për arsimin e lartë dhe vëmendjen që i ka kushtuar qeveria rritjes së numrit të studenteve, ai tha se nga 52 mijë studentë që ishin në vitin 2005, numri i tyre ka arritur në 135 mijë. Por, vijoi ai, nuk do të jetë e largët dita që ky numër do të shkojë deri në 150 mijë. Krahas rritjes së numrit të studentëve, kryeministri Berisha siguroi se dhe cilësia e arsimit të lartë do të jetë në nivele të larta. Duke vizituar kabinetin e informatikës në shkollën "Fan Stilian Noli", një nxënëse e kësaj shkolle i demostroi kryeministrit ndërtimin e një kompjuteri. Shkolla pedagogjike "Fan Stilian Noli" në Korçë është një nga shkollat që siç e konsideroi kryeministri "është simbol i ndritur në botën e dijes shqiptare". Dikur liceu francez, kjo shkollë krahas Normales së Elbasanit ka përgatitur me mijëra misionarë të dijes, studiues, dhe sot me një vizion të ri do të shndërrohet në një shkollë profesionale në lëmin e informatikës. Shkolla, një ndërtesë e dhuruar në vitin 1896 nga tre vëllëzër nga Drenova e Korçës ka qenë edhe një shkollë vashash për të qenë më pas në vitet 1920 si lice francez, një nga më të njohurat në Shqipëri. Në këtë shkollë sot studiojnë rreth 260 nxënës nga i gjithë qarku i Korçës, pedagogji dhe teknologji. /k.sh/
KOMENTE