English

Berisha: Bota E Mendimit Shqiptar Humbi Një Prej Kolosëve Të Saj, Gjergj Zhejin

- Kryeministri Berisha bën homazhe në nder të shkrimtarit, përkthyesit dhe studjuesit të letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji - TIRANË, 11 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha duke nderuar me homazh në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit, shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin e letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji, tha të premten, se "bota e mendimit shqiptar humbi një prej kolosëve të saj të vërtetë". Kryeministri Berisha la gjithashtu një shënim në librin e përshtypjeve për këtë figurë të shquar të letrave shqipe. Kreu u Qeverisë vlerësoi se "Gjergj Zheji i përkiste asaj elite shqiptare që me punën e tij pasuroi aq shumë letrat shqipe dhe bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore". "Gjergj Zheji ishte njëri prej intelektualëve të parë të Tiranës dhe Shqipërisë që u bashkua me të gjithë potencialin e tij të madh mendor dhe shpirtëror, me lëvizjen studentore, lëvizjen demokratike të vendit. Sot ne ndahemi prej tij, por ai lë një emër të madh, një trashëgimi të shkëlqyer për familjen, miqtë, botën intelektuale dhe mbarë kombin shqiptarë", tha Kryeministri Berisha. Në ceremoninë e zhvilluar sot në ambientet e TOB-it në nderim të personalitetit Gjergj Zheji, që ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 84-vjeçare, zhvilluan homazhe dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ministra, deputetë, studiues dhe personalitete të larta të letrave shqipe dhe qytetarë. Shkrimtar, përkthyes studiues i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare. Një personalitet i kulturës shqiptare që ka dhënë kontribut në disa fusha, Gjergj Zheji ka qenë i pari studiues që ka realizuar një mongrafi për jetën e Andon Zako Cajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike. Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj. Gjergj Zheji ka dhënë kontribut të madh edhe në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë, deri te Leximi Letrar./n.m/
KOMENTE